Shtyhet seanca për vjedhje të stolive të arit në një shtëpi në Suharekë

0
292

Mungesa e të dëmtuarës Sevdije Berisha, ka bërë që të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë të mos mbahet seanca e shqyrtimit kryesor të çështjes ndaj Arbisjon Kotorrit dhe Besim Gashit, të cilët akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer vjedhje.

E dëmtuara Berisha, përmes parashtresës së datës 02.02.2021 ka njoftuar gjykatën që nuk mund të prezantoi në seancën e radhës për shkaqe shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas marrjes së kësaj parashtrese gjyqtari i çështjes Lavdim Bajraktari ka njoftuar me telefon të akuzuarit që seanca e sotme nuk do të mbahet, andaj të njëjtit edhe nuk kanë prezantuar në seancë.

Gjyqtari Bajraktari në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e shqyrtimit kryesor, ka shtyrë seancën e sotme për 9 mars 2021, në ora 9:00.

Përndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të akuzuarit Arbisjon Kotorri dhe Besim Gashi, akuzohen se më 29 Prill 2017, në shtëpinë e të dëmtuarës Sevdije Berisha në Suharekë, në rrugën “Brigada 123”, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, derisa ishin duke punuar si moler në shtëpinë e të dëmtuarës, të akuzuarit kishin marrë një pesëlirësh me vlerë prej 1,200 euro, një zingjir në vlerë prej 1100 euro, zingjir me varëse Versace me vlerë prej 300 euro, dy unaza të arit në vlerë prej 500 euro, një unazë në formë ure në vlerë prej 220 euro dhe një zingjir dore në vlerë prej 180 euro, të gjitha këto në total prej 3,500 euro, me çka të dëmtuarës i shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale.

Andaj, me këto veprime të akuzuarit e lartëcekur në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje” nga neni 325 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KP-së. /BetimipërDrejtësi

Leave a Reply