Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një takim zyrtar në Bruksel me Presidentin e Këshillit Europian, António Costa, në kuadër të Konferencës së katërt Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Takimi shënon një moment të rëndësishëm për vendin, pasi gjatë kësaj dite hapen kapituj të rinj në procesin e negociatave për anëtarësimin.
Në një prononcim të përbashkët për mediat para takimit, Rama vlerësoi përkushtimin dhe vëmendjen e Presidentit Costa ndaj Shqipërisë dhe rajonit, duke e cilësuar këtë zhvillim si një tjetër hap pozitiv në rrugën drejt BE-së.
“Jam shumë i kënaqur që ndodhem këtu me Presidentin e Këshillit Europian. Sot është një ditë shumë e mirë për ne, sepse hapim kapituj të tjerë në negociata. Vlerësoj shumë kohën që Presidenti më ka kushtuar për të diskutuar përparimin tonë,” u shpreh Rama.
Temë tjetër e diskutimit ishin edhe përgatitjet për Samitin e Komunitetit Politik Europian, që do të zhvillohet më 16 maj, një ngjarje që kryeministri e cilësoi me rëndësi të veçantë në këtë moment politik për kontinentin dhe rajonin.
“Sot diskutojmë gjithashtu mbi situatën në rajon dhe përgatitjet për Samitin e Komunitetit Politik Europian. Presidenti Costa do të zhvillojë vizitën e tij të parë zyrtare në prag të këtij samiti, çka nënvizon angazhimin e tij për rajonin,” tha Rama.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se Shqipëria mbetet e përkushtuar në përmbushjen e kalendarit të reformave dhe synon të përmbyllë të gjitha negociatat deri në vitin 2027.
“Jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e kalendarit, i cili është ambicioz, me synimin për të mbyllur procesin brenda vitit 2027,” theksoi ai.