Prestigjiozja italiane Corriere della Sera i ka kushtuar një artikull të veçantë këngëtarit kosovar Yll Limani, duke e prezantuar si një nga emrat më të spikatur të brezit të ri të muzikës pop shqiptare dhe një artist që po zgjeron gjithnjë e më shumë praninë e tij ndërkombëtare.
Artikulli vjen në prag të koncertit të Limanit në ChorusLife Arena në Bergamo më 3 tetor, që do të jetë edhe ndalesa e vetme italiane e turneut të tij aktual.
Mediumi italian rikthen në vëmendje edhe fillimet e karrierës së këngëtarit, që nisi të bëhej i njohur për publikun me pjesëmarrjen në sezonin e parë të The Voice of Albania në vitin 2011.
Pesë vjet më vonë, ai mori pjesë në Festivali i Këngës 2016, ku u rendit në vendin e tretë.
Sipas Corriere della Sera, ngritja e Limanit ka qenë e vazhdueshme. Sot ai numëron rreth 700 mijë dëgjues mujorë në Spotify, ndërsa disa prej këngëve të tij kanë grumbulluar dhjetëra miliona transmetime.
Një prej sukseseve më të mëdha është “Malli”, që ka kaluar shifrën e 30 milionë dëgjimeve në platformat muzikore.














































