Ori Nebijaj reagon për videot intime të Adi HIlës: “Skandali është cenimi i privatësisë, jo jeta private”

0
118

Moderatorja Ori Nebijaj ka reaguar publikisht pas qarkullimit në rrjetet sociale të disa videove me përmbajtje intime, duke e zhvendosur vëmendjen nga jeta private e personave të përfshirë te cenimi i privatësisë dhe shpërndarja e materialeve pa pëlqim.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nebijaj kritikoi interesin e madh të publikut për të kërkuar, parë dhe shpërndarë materiale të tilla, duke theksuar se problemi kryesor nuk është intimiteti i individëve, por mënyra se si ai bëhet publik pa miratimin e tyre.

“Skandali nuk është jeta intime e njerëzve. Skandali është thyerja e privatësisë së tyre dhe mënyra si ne i presim, i kërkojmë e i shpërndajmë ato pamje”, shkroi ajo.

Nebijaj kërkoi gjithashtu përgjegjësi penale për cilindo që provohet se ka realizuar regjistrime intime pa pëlqimin e personave të përfshirë, si dhe për ata që i kanë shpërndarë më tej.

“Ky është abuzim, jo argëtim”, theksoi moderatorja.

Në reagimin e saj, ajo u ndal edhe te mënyra se si raste të tilla kthehen me shpejtësi në spektakël publik, ndërsa videot kalojnë nga një person te tjetri përmes telefonave dhe rrjeteve sociale.

Nebijaj kritikoi gjithashtu standardin e dyfishtë me të cilin, sipas saj, trajtohen gratë dhe burrat në raste të tilla.

Ajo argumentoi se gratë shpesh përfundojnë në qendër të titujve, komenteve dhe gjykimit publik, edhe kur në të njëjtën situatë janë të përfshirë edhe burra.

“Ky është morali ynë me dy standarde: kur duhet të kërkojmë llogari, bëhemi spektatorë; kur duhet të respektojmë privatësinë, bëhemi prokurorë”, shkroi ajo.

Në fund të postimit, Nebijaj përmendi edhe emrin e Adrian Hilës, duke përdorur gjuhë të ashpër ndaj tij dhe duke përsëritur thirrjen që kushdo që ka shpërndarë materialet intime, qoftë si burim fillestar apo më pas, të përballet me përgjegjësi ligjore.

Reagimi i saj vjen në një kohë kur publikimi dhe shpërndarja pa pëlqim e materialeve intime po ngre sërish debate të forta për privatësinë, përgjegjësinë ligjore dhe etikën e sjelljes në rrjetet sociale.