Serbia humb rreth 200 milionë euro për 10 muaj si pasojë e ndalimit të tregtisë me Kosovën

0
106

Ekonomia serbe ka pësuar humbje prej 150 deri në 200 milionë euro për shkak të ndalimit tregtisë në territorin e Kosovës, që nga qershori i vitit 2023, shkruan mediumi serb, Politika.

Bojan Staniq, ndihmësdrejtor i Sektorit për Analiza Strategjike dhe Shërbime në Odën Ekonomike serbe (PKS) ka thënë se Serbisë “i mbetet vetëm të grumbullojë humbje, sepse nuk mund ta ndryshojë gjendjen”.

Sipas artikullit, në dy muajt e parë të këtij viti në Kosovë kanë ardhur 48.8 tonë mallra serbe, për dallim nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar kur janë eksportuar rreth 92 tonë. Në të njëjtën kohë, shkëmbimi i përgjithshëm tregtar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës arriti në rreth 45 milionë euro.

Eksportet ishin rreth 38 milionë euro, ndërsa importet rreth shtatë milionë euro. Kur krahasohen këto të dhëna me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, vërehet se eksportet në janar 2023 ishin dyfish më të larta, rreth 67.5 milionë euro.

Kur bëhet fjalë për tërë vitin e kaluar, këmbimi i përgjithshëm tregtar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës ishte rreth 367 milionë euro, ndërsa bilanci ishte 279 milionë euro, për dallim nga viti 2022, kur ai shkëmbim ishte 518 milionë euro, dhe bilanci i këmbimi ishte 415.5 milionë euro.

Sipas Staniqit, “gjithçka që po ndodh nuk është problem i madh për Serbinë, pasi ekonomia e Kosovës vuan më shumë, sidomos pjesa veriore ku serbët janë shumicë”.

Dëmi që ndodhi është praktikisht i pariparueshëm dhe shumë prej tyre janë të detyruar të mbyllin bizneset e tyre./Koha

Leave a Reply