Rriten çmimet e produkteve bazë në Kosovë: Një pako ushqimore për një javë tash kushton deri 70 euro

0
412
Foto: Ilustrim

Çmimi te produktet bazë ushqimore si vaji, sheqeri, prodhimet e qumështit dhe mishrat, në Kosovë thuhet se ka pasur rritje. Këto rritje nuk dihen ende saktësisht se pse kanë ndodhur, veç se mendohet se çmimi për këto produkte është rritur deri 30%, shkruan Gazeta Metro.

Gjatë vitit 2020 në Kosovë por edhe 2021, i cili tashmë njihet si viti i pandemisë së koronavirusit, çmimet e produkteve bazë u rriten.

Nga muaji mars i këtij viti në Kosovë madje çmimet janë ngritur shumë më shumë.

Menaxheri i dyqanit tregtar ‘Xhati’ në Mushtisht, Shpetim Selimi, ka bërë të ditur për Metron se çmimet e vajit, sheqerit, prodhimet e qumështit dhe mishrat janë rritur diku për 30%.

“Çmimet janë ngritur që nga muaji mars i këtij viti, kryesisht në produktet bazë ushqimore. Edhe çdo ditë në tregun me shumicë gjejmë çmime të reja të ngritura. Domethënë nuk dihet deri ku shkon kjo ngritje”, ka thënë Selimi për Metron.

Tutje ai ka treguar edhe cili është çmimi i një pako një javore tash dhe si ka qenë në muajin mars.

“Nëse një pako ushqimore një javore deri në muajin mars ka qenë 50 euro, tash e njëjta pako padyshim që kushton 65 deri 70 euro”, ka bërë të ditur menaxheri i këtij dyqani për Metron.

Ndërkaq ditë më parë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK), kishte kryer një monitorim në tregun e Kosovës, pas shqetësimeve të ngritura lidhur me ngritjen e çmimit të vajit ushqimor, më konkretisht të vajit të lulediellit.

Me anë të një komunikate për media, AAK me 1 qershor kishte konfirmuar se ka rritje theksuar të çmimit të vajit nga muaji janar i këtij viti.

“Sidoqoftë, nga monitorimi që kemi kryer në terren si dhe nga mbledhja e të dhënave nga institucionet shtetërore, kemi ardhur në përfundim që nuk ka elemente të ndonjë marrëveshjeje të ndaluar apo praktikë të bashkërenduar ndërmjet importueseve të vajit në Kosovë. Në fakt, bazuar në monitorimet të kryera, kemi konstatuar se rritja e çmimit të vajit ushqimor është rritje globale, e cila pastaj reflekton në mënyrë zinxhirore edhe në shtetin tonë, si importues i këtij produkti”, thuhet në njoftimin e AAK’së.

Gjatë viti 2021 çmimet në Kosovë kanë lëvizje dhe ngritje, duke e rënduar edhe më tej gjendjen e konsumatorëve dhe të ekonomive familjare.

Leave a Reply