Rezarta Shkurta ka folur hapur për mundësinë e një pjesëmarrjeje në “Big Brother VIP”, duke pranuar se formati e tundon si eksperiencë, por se largësia nga familja do të ishte pengesa kryesore.
Sipërmarrësja dhe këngëtarja zhvilloi së fundmi një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjetet sociale përmes rubrikës “Ask me a question”, ku iu përgjigj pyetjeve për jetën personale, punën dhe përditshmërinë e saj.
Mes tyre, një ndjekës e pyeti drejtpërdrejt pse nuk i jep një mundësi formatit të njohur televiziv.
“Pse s’i jep një shans Big Brother-it? Do ishe fenomen”, ishte pyetja që mori vëmendje.
Rezarta u përgjigj se një pjesë e saj do të donte ta provonte eksperiencën, por izolimi për një periudhë të gjatë larg bashkëshortit të saj, Ermal Hoxhës, dhe vajzës së tyre, Herës, do të ishte shumë i vështirë.

“Një pjesë e imja do të donte ta provonte atë çmenduri. Por jam një koala e Ermalit dhe e Herës. Nuk e imagjinoj dot të jem larg tyre”, u shpreh ajo.
Me këtë përgjigje, Rezarta la të kuptohet se ideja e pjesëmarrjes në “Big Brother VIP” nuk i duket e pamundur në aspektin e eksperiencës, por për momentin përkushtimi ndaj familjes mbetet prioriteti kryesor.
Deklarata e saj ka nxitur reagime te ndjekësit, të cilët prej kohësh e kanë përmendur emrin e saj si një nga personazhet që do të donin ta shihnin brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri.














































