Pak orë para “El Clasicos”, Real Madrid ka marrë një goditje të madhe, pasi Kylian Mbappe nuk është përfshirë në listën e lojtarëve të grumbulluar për sfidën ndaj FC Barcelona.
Sulmuesi francez kishte ngritur dyshime për paraqitjen e tij që prej ditëve të fundit, ndërsa situata u bë edhe më shqetësuese dje, kur ai nuk arriti ta përfundonte stërvitjen me ekipin. Problemet fizike që ka shfaqur së fundmi duket se kanë bërë që stafi teknik dhe mjekësor i madrilenëve të vendosë të mos e rrezikojë për ndeshjen më të madhe të sezonit.
Mungesa e Mbappes konsiderohet një humbje e madhe për Real Madridin, pasi francezi ka qenë një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës gjatë këtij edicioni.
“El Clasico” zhvillohet në një moment shumë të rëndësishëm të garës për titull në La Liga. Barcelona hyn në këtë duel me avantazh në tabelë dhe një barazim do t’i mjaftonte për ta siguruar matematikisht titullin kampion, ndërsa Real Madridi ka nevojë për fitore për të mbetur në garë.
Pa Mbappen, presioni mbi skuadrën madrilene bëhet edhe më i madh, në një ndeshje që pritet të përcaktojë fatin e sezonit.















































