Real Madridi kërkon fitoren e nëntë radhazi, Celta Vigo udhëton në “Bernabeu”

0
21
MADRID, SPAIN - JULY 16: Real Madrid new signing, Kylian Mbappe is unveiled at Estadio Santiago Bernabeu on July 16, 2024 in Madrid, Spain. (Photo by David Ramos/Getty Images)

Real Madridi rikthehet sonte në aksion në La Liga, pas pauzës për ndeshjet e kombëtareve, me synimin për ta vazhduar serinë fantastike të rezultateve pozitive.

Skuadra e drejtuar nga Jose Mourinho do të përballet me Celta Vigon, në kuadër të xhiros së 13-të të kampionatit spanjoll. Ndeshja zhvillohet në stadiumin “Santiago Bernabeu”, me fillim nga ora 21:00.

“Los Blancos” po kalojnë një periudhë të shkëlqyer, pasi kanë regjistruar tetë fitore radhazi në të gjitha garat. Tashmë, objektivi është fitorja e nëntë, e cila do t’i mundësonte skuadrës madrilene të vazhdojë presionin ndaj Barcelonës në garën për titullin.

Real Madridi gjendet në pozitën e dytë me 30 pikë, vetëm tri më pak se lideri Barcelona. Një fitore eventuale do ta barazonte përkohësisht me pikë rivalin e madh katalunas.

Vëmendja do të jetë edhe te Kylian Mbappe, i cili po kalon formë të jashtëzakonshme. Sulmuesi francez ka shënuar në shtatë ndeshjet e fundit radhazi për Real Madridin, duke realizuar nëntë gola gjatë kësaj periudhe.

Në dispozicion të Mourinhos do të jetë edhe Vinicius Junior, i cili rikthehet pas përfundimit të pezullimit. Ndërkohë, Rodrygo, Ferland Mendy dhe Raul Asencio janë në mesin e mungesave, kurse Aurelien Tchouameni mbetet në dyshim.

Në anën tjetër, Celta Vigo nuk po kalon formë të mirë në kampionat. Skuadra galiciane renditet në pozitën e 11-të me 13 pikë, ndërsa ka regjistruar vetëm dy fitore në 12 ndeshjet e para.

Megjithatë, mysafirët kanë një arsye për të besuar në befasinë e radhës, pasi sezonin e kaluar kishin triumfuar 2:0 në “Santiago Bernabeu”.

Real Madridi synon të mos lejojë përsëritjen e atij rezultati, ndërsa përballja e sontme mund të jetë një tjetër hap i rëndësishëm në garën për titullin e La Ligës.