Në raportin e DASH-it, problemet serioze në pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze në lirinë e shprehjes dhe të mediave, përfshirë kërcënime apo dhunë kundër gazetarëve, dhe dhuna me bazë gjinore, janë përmendur si disa prej telasheve me të cilat vazhdon të përballet Kosova.
Sipas raportit, vitin e kaluar nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejtat e njeriut në Kosovë.
Në kapitullin e tretë ku flitet për lirinë për të marrë pjesë në procesin politik, përmendet edhe çështja e ndikimit të Listës Serbe te serbët lokalë në veri të Kosovës.
“Qeveria serbe vazhdoi të operojë struktura të paligjshme paralele qeveritare në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti goran i Kosovës. Qeveria serbe shpesh i përdorte këto struktura për të ndikuar në komunitetet serbe dhe gorane të Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politikë”.
Po ashti, është theksuar edhe procesi i mbajtjes së zgjedhjeve nacionale në shkurt të vitit 2021.
“Vendi zhvilloi zgjedhjet parlamentare në shkurt 2021. Vëzhguesit ndërkombëtarë i konsideruan kryesisht zgjedhjet të drejta dhe pa abuzime dhe parregullsi. Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe të pavarur, si dhe përfaqësuesit e grupeve të pakicave etnike raportuan shqetësime në lidhje me mungesën e konkurrencës në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe vunë në dukje presion dhe frikësimin brenda komuniteteve pakicë etnike për të mbështetur partitë e rreshtuara me Listën Serbe, një parti e lidhur ngushtë me qeverinë serbe”.