“Puyol dhe Pique idhujt e mi”, talenti 17-vjeçar i Barçës: Presioni i përmirëson futbollistët!

0
114

Pau Cubarsi është duke përjetuar aktualisht ëndrrën më të madhe të jetës. Në moshën 17-vjeçare është shndërruar në një titullar të Barcelonës duke surprizuar jo pak me klasin dhe garancinë që ofron në repartin e prapavijës. Në një intervistë për sjatin zyrtar të klubit, Cubarsi thekson se idhujt e tij janë Puyol dhe Pique ndërsa shtoi se familja dhe miqtë e ndihmojnë të qëndrojë me “këmbë në tokë”.

“Po jetoj një ëndërr. Për momentin po e marr me shumë qetësi. Familja dhe miqtë e mi më ndihmojnë të qëndroj me “këmbë në tokë” që është kryesore. Dhe kjo më bën ta përjetoj me më shumë qetësi gjithçka që më ndodh.

Është një krenari e madhe të vesh fanellën e klubit të jetës sime. Kur zbres në fushë nuk mendoj për moshën. Ndihem si një lojtar tjetër që dëshiron të ndihmojë ekipin dhe në këtë mënyrë përpiqem të jap gjithçka. Kur je lojtar i Barçës, gjithmonë ke atë presion shtesë, sepse të përfaqësosh këtë simbol dhe këtë fanellë është gjëja më e rëndësishme në botë. Ne luajmë me presion, por mendoj se kjo na bën futbollistë më të mirë.

Gjithmonë e kam deklaruar se idhujt e mi janë Puyol dhe Pique. Kur isha i vogël i shikoja duke luajtur në TV dhe më pëlqente shumë stili i tyre. Ne jemi një grup shumë i bashkuar, një ekip i madh. Por, mbi të gjitha Ronald Araujo më ndihmon shumë taktikisht, po ashtu edhe Joao Cancelo, i cili është një nga lojtarët më me humor të skuadrës, të sjell gjithmonë gëzim dhe të bën të lumtur.

Liga e Kampionëve? Dy janë sfidat kryesore për ne: të përpiqesh të fitosh Ligën e Kampionëve dhe të mos heqësh dorë nga kampionati. Kanë mbetur edhe shumë ndeshje. Ne jemi Barça dhe duhet të luftojmë deri në fund. Nuk kam asnjë dyshim se do ta bëjmë këtë.

PSG? Mezi e presim këtë ndeshje. Pas kaq vitesh pa arritur në çerekfinale, do të japim gjithçka. Është një ndeshje shumë e bukur për një tifoz dhe shumë e bukur për lojtarët sepse të shtyn në limite. Ne duam të japim maksimumin për të shkuar në gjysmëfinale”, u shpeh Cubarsi./SS

Leave a Reply