Pirja e kafesë gjatë shtatzënisë zvogëlon foshnjën për dy centimetra

0
552

Konsumimi i vetëm gjysmë gote kafeje gjatë shtatzënisë mund ta zvogëlojë gjatësinë e foshnjës për 2.5 centimetra, zbulon një studim i ri.

Fëmijët e lindur nga gratë që konsumonin 50 mg kafeinë çdo ditë, ishin 2 cm më të vegjël se moshatarët e tyre deri në moshën tetë vjeçare. Gjetjet nga ky hulumtim i fundit vlenin edhe pas marrjes në konsideratë të faktorëve tjerë që mund të ndikojnë në gjatësinë e foshnjës, duke përfshirë moshën e nënës dhe faktin nëse ato janë konsumuese të duhanit.

Studiuesit thonë se rezultatet e bazuara në një analizë të kryer mbi 2,500 djem dhe vajza në SHBA, tregojnë se nënat në pritje të fëmijës duhet të abstenojnë plotësisht nga kafeja, shkruan “Mail Online”.

Kafeina besohet se i ngushton enët e gjakut në mitër dhe placentë, gjë që mund ta zvogëlojë furnizimin me gjak të fetusit dhe ta pengojë rritjen.

Studimi është i pari i këtij lloji që përdor analizat e gjakut për të matur marrjen e kafeinës nga gratë shtatzëna në vend të sondazheve, të cilat janë më pak të besueshme. Rezultatet e hulumtimit më pas u publikuan në revistën “Jama Network Open”.

Studiuesit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit të Fëmijëve dhe Zhvillimit Njerëzor në Maryland, e përcollën zhvillimin e fëmijëve të lindur midis viteve 2009 dhe 2013, deri në moshën tetë vjeçare. Nënat dhe fëmijët e rekrutuar për këtë hulumtim u ndanë në katër grupe, bazuar në sasinë e kafeinës që nënat e konsumonin gjatë shtatzënisë.

Pas gjurmimit të fëmijëve për më shumë se tetë vjet, studiuesit gjetën një lidhje të qartë midis konsumit të kafeinës nga e ëma dhe gjatësisë të tyre.

Ka informacion të kufizuar se përse ekspozimi i fetusit ndaj kafeinës gjatë kohës sa është në mitër dhe në fillimet e jetës, mund ta pengojë rritjen e tij apo saj.

Në një hulumtim të vitit 2021, studiuesit zbuluan se kafeina bën që enët e gjakut në mitër dhe placentë të kufizohen, duke shkurtuar furnizimin me gjak të fetusit. Kjo bëri që foshnjat të kishin peshë më të vogël në lindje, megjithëse nuk u përcaktuan efektet afatgjata që konsumimi i kafeinës nga e ëma mund të kishte në zhvillimin e fëmijëve të tyre.

Leave a Reply