Osmani: “Ballkanin e Hapur” e analizuam edhe nga ana profesionale, demarkacioni me Malin e Zi s’është problem

0
229

Nisma rajonale “Ballkani i Hapur” nuk e respekton parimin e përfshirjes dhe nuk i trajton të gjitha vendet në mënyrë të barabartë, tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve, MINA, Osmani tha se iniciativën në Kosovë e kanë analizuar nga ana politike, por edhe nga ajo profesionale, përcjell Gazeta Express.

“Kemi ardhur në një vendim se kjo nuk është një iniciativë që do ta trajtonte Kosovën si partner të barabartë. Përkundrazi”, ka thënë Osmani.

Ajo vlerësoi se me iniciativën “Ballkani i Hapur”, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përpiqet ta zgjerojë qasjen e tij hegjemoniste në të gjithë rajonin dhe ta trajtojë Kosovën si partner të pabarabartë, duke mos e njohur pavarësinë e saj.

Sipas Osmanit, dallimi i madh në mes të “Ballkanit të Hapur” dhe nismave të tjera është se iniciativat e tjera, por edhe krijuesit e tyre, i trajtojnë të gjitha vendet si të barabarta.

“Ne jemi për marrëveshje që do ta përshpejtojnë anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian (BE), në vend që të krijohet një sallë pritjeje që i jep arsye dhe justifikim Unionit që të mos e shpejtojë procesin e anëtarësimit”, tha Osmani.

Ajo tha se pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE nuk mund të ketë Europë të lirë, të bashkuar dhe paqësore dhe sigurisht që nuk mund të ketë siguri në kontinentin europian.

“Pra, ne ishim shumë të qartë për këtë. Ne i respektojmë vendet e tjera, por në të njëjtën kohë dëshirojmë që të respektohet qëndrimi ynë, sepse është një qëndrim që është marrë parasysh përmes vlerësimeve shumë serioze të të gjithë faktorëve të nevojshëm”, tha Osmani.

Ajo tha se janë të shumta iniciativat në të cilat merr pjesë Kosova, duke shtuar se arsyeja e pjesëmarrjes së tyre është se atje trajtohen si të barabartë, si dhe respektimi i parimit të gjithëpërfshirjes që nga dita e parë.

“Pra, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor morën pjesë në krijimin e këtyre nismave, për dallim nga Ballkani i Hapur, i cili nuk është gjithëpërfshirës ose na trajton në mënyrë të barabartë”, tha Osmani.

E pyetur se si e sheh problemin e demarkacionit të Malit të Zi dhe Kosovës, ajo tha se definitivisht nuk është problem.

“Për më tepër, besoj se Kosova dhe Mali i Zi kanë arritur në fazën ku çdo diskutim bazohet në parimin e marrëdhënieve të shkëlqyera fqinjësore. Kur ky është parimi mbizotërues në çdo diskutim, nuk do të thosha kurrë se gjërat që diskutohen janë problem. Përkundrazi, do të thosha se është një bisedë”, ka shpjeguar Osmani.

Sipas saj, kjo nuk është më temë për politikanët.

Osmani kujtoi se Mali i Zi e ka ratifikuar Marrëveshjen në Kuvend shumë vite më parë dhe se Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar tri dokumente, gjegjësisht vetë Marrëveshjen, deklaratat e presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi dhe dokumentin e tretë, që është produkt i punës së komisionit.

Siç tha ajo, të tri dokumentet janë ratifikuar për të krijuar mundësi për formimin e një komisioni të përbashkët teknik.

“Pra, është komisioni teknik dhe janë ekspertët ata që duhet ta marrin përsipër punën dhe tani ekspertët duhet të përcaktojnë hapat e ardhshëm, në vend që politikanët të bëjnë deklarata që mund ta dëmtojnë vetëm progresin”, tha Osmani.

Duke komentuar luftën në Ukrainë, ajo tha se që nga 24 shkurti është rrezikuar e gjithë arkitektura e sigurisë në kontinentin europian.

Sipas saj, synimi i Rusisë nuk është vetëm ta shkatërrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, por edhe të luftojë kundër sistemeve të bazuara në vlera dhe mënyrës së jetesës demokratike.

“Në të njëjtën kohë, Rusia po përpiqet ta minojë bashkëpunimin dhe arritjet transatlantike në këtë pjesë të rajonit. Tashmë, përballë një agresioni të tillë, duhet të jemi të bashkuar jo vetëm në fjalë dhe deklarata, por edhe në veprim të përbashkët”, tha Osmani.

Ajo tha se tani për tani të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, kanë zgjedhur të jenë në anën e Ukrainës.

“Ndërsa Serbia vazhdimisht ka demonstruar, dhe së fundmi ka konfirmuar me telefonatë mes Vuçiqit dhe presidentit rus Vladimir Putin se kanë zgjedhur të jenë me Rusinë në këtë agresion. Fatkeqësisht Rusisë i dhanë frymëmarrjen artificiale që i duhej për ta vazhduar këtë luftë”, tha Osmani.

Ajo tha se Bashkimi Europian duhet t’i dërgojë një mesazh shumë të qartë Serbisë se nëse vazhdon në atë rrugë, negociatat e anëtarësimit do të pezullohen.

Osmani theksoi se anëtarësimi në BE dhe NATO është rruga e vetme përpara për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Vendi im nuk ka parë kurrë opsione të tjera. Këtë e kemi parë jo vetëm si këndvështrim të popullit të Kosovës, por si vizion të çdo qeverie dhe institucioni që e ka udhëhequr vendin deri më tani”, tha Osmani.

Ajo kujtoi se disa vende të rajonit tashmë janë në NATO, përfshirë Malin e Zi, i cili, shtoi ajo, ka kontribuar në sigurinë më të madhe në rajon.

Sipas Osmanit, është koha që Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës t’i ofrohet një rrugë e qartë dhe e përshpejtuar drejt NATO-s.

“Natyrisht, Serbia nuk e tregon atë synim. Megjithatë, duhet të jetë e qartë për të gjithë të tjerët që po punojnë për anëtarësimin në NATO se, nga pikëpamja e sigurisë, anëtarësimi është i nevojshëm në dritën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”, tha Osmani.

Ajo tregoi se Kosova ka formuar një grup punues ndërinstitucional, i cili është duke kaluar nëpër të gjitha kriteret dhe procedurat e aplikimit, për të përcaktuar kohën më të mirë për të aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në NATO.

“Kur ai grup ta përfundojë punën e tij, ne do të mund të dalim me datën e saktë”, tha Osmani.

Ajo tha se rruga drejt anëtarësimit në NATO kalon edhe përmes Partneritetit për Paqe, që është hapi i parë për Kosovën.

“Aktualisht jemi duke u përballur me një situatë mjaft absurde, pasi Partneriteti për Paqe përfshin vende si Bjellorusia e Lukashenkos, si dhe Serbia, vende anti-NATO që as nuk po tentojnë të hyjnë në aleancë”, tha Osmani.

E pyetur se çfarë reagimi pret Beogradi zyrtar kur Kosova të dorëzojë zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në NATO, ajo tha se Kosova kurrë nuk do ta kishte shpallur pavarësinë, po ta kishte parë reagimet e Serbisë.

“Është e qartë se interesat e Kosovës, por edhe vullneti i popullit, janë faktorë parësor në vendimmarrjen për të ardhmen tonë apo anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, tha Osmani.

Ajo tha se anëtarësimi i Kosovës në këto organizata nuk është vetëm një veprim politik, duke shtuar se qytetarët mbajnë përfitimin përfundimtar.

“Pasi Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Europës, qytetarët tanë më në fund do të kenë qasje në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Pra, në fund të fundit kjo është çështje e të drejtave të njeriut”, ka thënë Osmani.

Siç ka vlerësuar ajo, t’i thuash “Jo” anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës do të thotë të thuash “Jo” për një standard më të lartë të të drejtave të njeriut në Europë, sepse Kosova është pjesë e kontinentit.

Gjithashtu, t’i thuash “Jo” anëtarësimit në organizata si Interpoli do të thotë “Jo” për luftën kundër krimit ndërkufitar. “Nëse shteti e përkrah luftën kundër krimit ndërkufitar, atëherë duhet ta përkrahë pjesëmarrjen e Kosovës në ato mekanizma”, tha Osmani.

Ajo tha se kjo vlen edhe për organizatat tjera ndërkombëtare, duke shtuar se kur Kosova të jetë e gatshme të aplikojë për anëtarësim në NATO, reagimi i Serbisë është padyshim diçka për t’i kushtuar vëmendje.

Leave a Reply