Libri i Besnikut

0
41

Dyqanin e tij modest, në të cilin përgatiste qoftet ndër më të mirat në qytet, shumica prej nesh e konsideronim epiqendër ku mblidheshim për të vajtur diku bashkë a për ta gostitur ndonjë mysafir nga vendet tjera. Ishte një lloj magneti për ne, shoqërinë e tij të ngushtë e që ishim plot. Kushdo që i njeh raportet tona e di se në fjalinë paraprake s’bëhet fjalë për oksimoron.


I njihte me emër hallexhinjtë e qytetit. Sytë e tyre e lypnin nurin e tij. Kurdoherë që e shoqëroja në shpërndarjen e ndihmave, mësoja rrugica të reja të qytetit tim dhe habitesha se si nuk i kisha ditur më parë. Ishte disi e çuditshme ngase ne nuk jetojmë në një metropol. Me kalimin e kohës kuptova që ta njohësh një qytet nuk domethënë t’i dish përmendsh rrugët e tij. U dashka të frymoje më të në çdo cep. Të dish se në cilën lagje ç’njerëz jetojnë dhe çfarë preferenca a brenga kanë. Këtë të mos e bësh me refleksin e një pushtetari, por të një bashkëqytetari që ndan me tjetrin territorin, ujin, bukën e blerimin e natyrës. Përtej të gjithave: fatin. Edhe këtë e kisha mësuar nga ai.


Gjatë vapës verore djersitej dhe kishte zakon të ankohej për ca kilogramë të tepërt që duhej t’i hiqte. Ende pa i dhënë fund vetëkritikës, frynte në gushë e gjoks për të freskuar veten. E gjithë kjo skenë merrte përmasa komike për të pranishmit. Pasonin shakatë në llogari të tij dhe ai, me qeshjen karakteristike – duke lëvizur poshtë e përpjetë shpatullat – nuk ndalej deri sa i përloteshin sytë. Në kristalizimin e lotit të tij kundrohej çiltërsia dhe çdo herë e më shumë bindeshim se ia jepte hakun emrit që mbante.


Shumë vite më parë, kur po organizonim një tubim festiv, unë kisha për ta udhëhequr programin, kurse ai do të ishte njëri ndër mikpritësit e të ftuarve te dera hyrëse e sallës. I pata thënë të vendoste kravatë me garancinë se do t’ia lidhja mirë me duart e mia. Ndërkaq ai, duke i rrudhur vetullat me një shqetësim kinse po i kërkoja ta përmbyste botën, më ishte drejtuar: “Lene bre, allahile, fort nxehtë tash verës!”. Kjo fjalë e tij nuk do të ishte qortuese. Sakaq, vetullat i patën marrë ngjyrë dhembshurie. Edhe pse kishim dallim të dukshëm në moshë, nuk më kishte refuzuar me sigurinë e një të pjekuri. Kur insistova duke i thënë se ai do të qe imazhi ynë atë natë sepse mysafirët do ta krijonin përshtypjen fillestare për krejt neve duke e parë atë në hyrje, ai nuk e zgjati dhe më pati pyetur: “A bën bile mos me e mbyllë pullën e fundit të këmishës?”. Kjo pyetje dëftonte se ai e kishte mbajtur gjallë fëmijën brenda vetes.


Një karakter i tillë mbase do të mund ta ngacmonte imagjinatën e shkrimtarëve për të nisur një roman. Ndonëse, vetë ai kishte qenë kryepersonazh e që tanimë u bë edhe autor.
Duke shfletuar faqet e librit të tij do të takohesh me personazhe të llojllojshme; që nga shokët (të cilët parapëlqente t’i quante “vëllezër”), qytetarët e panumërt (pothuaj s’kishte njeri të mos e njihte), lista e gjatë me skamnorët (të cilët nuk i publikonte për t’ua ruajtur dinjitetin), myshterinjtë e vet (prej të cilëve stresohej kur grumbulloheshin) dhe kë tjetër jo se…
Më tej gjen kujtimet e rifreskuara nga koha e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, pastaj nga rinia e dikurshme, nga pelegrinazhi, nga puna, nga familja. Por jo edhe nga argëtimi. Kjo ishte arsyeja pse e kritikonim miqësisht ndonjëherë. I kredhur në angazhimet ditore, harronte se njeriu ka nevojë edhe për dëfrim.


E kreu kapitullin e fundit. Tashmë i vuri pikën të vetmit libër që e ka përgatitur me zell por pa e derdhur në germa: librin e quajtur “jetë”. Me aq sa mundi e sa diti, gjithnjë me vetëdijen mbi betimin për lapsin.
Lapsi është si stafeta; duhet të kalojë nga një dorë në tjetrën për të arritur cakun. Pra, për t’u qëndisur me bojë faqet e reja duhet marrë shembull kryeveprat si libri i tij, i cili e ka një të metë të vetme: ishte fare i shkurtër. Dhe kjo na mërzit.
Tash e mbas duhet ta ruajmë krenarinë e të qenët pakëz personazhe e pakëz lexues të librit të tij dhe ta bartim mbi supe përgjegjësinë e rrëfimit në atë libër. Me një fjalë, të jemi të palëkundur në garën e drejtë, të cilën na e përkujtonte më shpesh se akësecili. Të vijojmë ta ndjekim me admirim kryepersonazhin dhe autorin e parapëlqyer.
Mbi të gjitha, të jemi besnikë ndaj faqeve të librit porsi Besniku ynë.

Shkruan: Ditar KABASHI

Leave a Reply