Mbahet shqyrtimi i dytë ndaj ish-rektorit të Universitetit të Prizrenit

0
430

Të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren është mbajtur seanca e shqyrtimit të dytë ndaj Ramë Vataj, i akuzuar se duke vepruar në cilësi të rektorit të Universitetit, ia mohon apo kufizon të dëmtuarit Vehbi Miftarit të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Gjyqtari gjykues Fatmir Krasniqi i njoftoi palët se në afatin e caktuar ligjor gjykatës i është dorëzuar parashtresa me shkrim nga ana e të akuzuarit dhe mbrojtësit te tij për kundërshtimin e aktakuzës dhe provave te saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Shahadin Destani deklaroi se prokuroria me dt.05.01.2021 ka pranuar kërkesën me shkrim nga mbrojtësi i te akuzuarit Ramë Vata, dhe pas analizimit të kërkesës konsiderojmë se arsyet e dhëna në kërkesën për hudhjen e aktakuzës janë të pa baza, ngase aktakuza është përpiluar konform dispozitave ligjore nuk përmban ndonjë shkelje,  po ashtu aktakuza është e mbështetur në prova te mjaftueshme si ato personale dhe materiale te cilat vërtetojnë dyshimin e bazuar mire se i pandehuri ka kryer veprën për të cilën ngarkohet si në aktakuzë.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Labinot Vata deklaroi se mbetet pranë kërkesës se parashtruar, ngase sipas tij, aktakuza e parashtruar nga prokuroria është e pabazuar.

Tutje avokati Vata deklaroi se vendimi në të cilën thirret prokuroria se është i plotfuqishëm, se i njëjti nuk është zbatuar, është vendim i nxjerr në procedurë administrative dhe i njëjti vendim nuk është nxjerr nga gjykata.

Në fund avokati deklaroi se kërkon nga gjykata qe ta aprovoj kërkesën dhe provat e bashkangjitura ashtu që ta hudh aktakuzën si të pabazuar.

Në fund gjyqtari Fatmir Krasniqi deklaroi se njoftimin në lidhje me kërkesën për hudhje të aktakuzës do të vendos me një njoftim të veçantë me shkrim, i cili do të i dorëzohet palëve.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur me 10.06.2020, Ramë Vataj akuzohet se nga 30 shtatori 2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të rektorit të Universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e zbaton vendimin e Sektorit të Inspekcionit të Arsimit në Prizren të datës 14.09.2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 01.08.2016 me nr. të protokollit 01-236, të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri, me ç’rast të dëmtuarit Vehbi Miftari ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs”, thuhej në njoftimin e prokurorisë, për ngritjen e aktakuzës në fjalë.

Përmes një bisede telefonike të dhënë për “Betimi për Drejtësi”, Vataj kishte deklaruar se që kjo aktakuzë ishte ngritur  për qëllime politik.

Tutje ai kishte deklaruar se gjatë kohës sa ishte rektor, ka marrë letra kërcënuese dhe është tentuar t’i bëhet shantazh nga Vehbi Miftari, mirëpo  që këto letra do t’i bëjë publike.

Po ashtu, Vataj kishte deklaruar se nuk ka qenë përgjegjës për punësimet të cilat janë kryer në Universitet, sepse procedura ka kaluar në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.

Ramë Vataj ishte rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, nga viti 2014 deri në vitin 2018. /BetimipërDrejtësi

image1 (2)

Leave a Reply