Maqedonci: Javelinët tashmë janë fakt i kryer, jemi në pritje të ofertës nga ana e SHBA-së

0
249

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se  ka përfunduar periudha 30 ditore e njoftimit të Kongresit të SHBA-së për kërkesën e Kosovës për të blerë sistemin anti-tank Javeline.

Përmes një postimi në Facebook ai theksoi se janë në pritje të ofertës nga ana e SHBA-së.

“I gëzohemi lajmit që sot ka përfunduar periudha tridhjetë ditore e njoftimit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës rreth kërkesës tonë për blerjen e sistemit anti-tank Javeline, rrjedhimisht mund të vazhdojmë hapat tjerë”, ka shkruar Maqedonci.

“Proceduralisht jemi ne pritje të ofertës nga ana e ShBA-së, që pastaj bazuar në të dhe planin e zhvillimit të FSK-së të realizojmë blerjen. Javeline, sistem me të cilin do të pajiset FSK tashmë fakt i kryer”, vijon ai.

Kujtojmë se më 11 janar të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net, kishte konfirmuar se Kosova kishte bërë kërkesë për blerjen e raketave “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Sipas DASH-it, shitja e këtyre armëve mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.

“SHBA-ja vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”, thuhej tutje në përgjigjen e DASH-it.

Raketa “Javelin” prodhohet që nga viti 1994 dhe çdo herë është përmirësuar. Ushtria amerikane e përdori për herë të parë këtë raketë në Irak dhe Afganistan më 2003.

Ajo u bë e njohur në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Ukraina i ka përdorur gjerësisht këto raketa për shkatërrimin e automjeteve të blinduara ruse. Përdoret edhe për shkatërrimin e tankeve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here