Manchester City prezanton mbrojtësin më të shtrenjtë në histori

0
322

Manchester City prezanton zyrtarisht mbrojtësin kroat Josko Gvardiol. Futbollisti 21-vjeçar u bë mbrojtësi më i shtrenjtë në histori, pasi kampionët e Anglisë dhe Europës paguan plot 90 milionë euro për të marrë kartonin e tij nga gjermanët e Leipzig.

Ndërkohë, Gvardiol, i cili ishte një nga futbollistët e kërkuar me ngulm nga trajneri Pep Guardiola, firmosi një kontratë 5-vjeçare me Manchester City-n dhe do të vihet menjëherë në dispozicion të teknikut katalanas.

Mbrojtësi i talentuar kroat u prezantua me një video mjaft interesante, ku ‘citizens’ shfrytëzuan edhe ngjashmërinë e mbiemrave Gvardiol dhe Guardiola, teksa është pikërisht trajneri katalan ai që modifikon mbiemrin e tij për të zbuluar blerjen e re të klubit.

“Kush e ka ndjekur Manchester City-n sezonin e kaluar, është bindur që kjo është skuadra më e mirë në botë, ndaj ndihem i nderuar që jam pjesë e këtij ekipi. Kam ëndërruar gjithmonë të luaj në Angli”, tha Gvardiol në prezantim.

Josko Gvardiol është rritur në akademinë e mirënjohur të Dinamos së Zagrebit, teksa në vitin 2020, kur ishte vetëm 18-vjeç, u transferua te gjermanët e Leipzig, ku në tre sezone ia doli të bëjë një hap tjetër të madh në karrierë.

Mbrojtësi 21-vjeçar spikati në Botërorin e Katarit në fund të vitit të kaluar, ku ofroi jo vetëm garanci në mbrojtjen e përfaqësueses kroate, por edhe aftësi shënimi në zonën kundërshtare.

Me 90 milionë eurot e shpenzuara për të, Gvardiol bëhet mbrojtësi më i shtrenjtë në histori, duke parakaluar Harry Maguire, të cilin Manchester United e bleu për 87 milionë euro nga Leicester.

Leave a Reply