Lista me 26 lojtarë jo e detyrueshme, gjithçka në dorën e Sylvinhos

0
157

Shqipëria do të përballet në finalet e Europianit të Gjermanisë me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën. Trajneri Sylvinho ka nisur prej kohësh përgatitjet për listën e lojtarëve që do të ftojë, teksa së fundmi është konfirmuar dhe fakti se trajnerët e Kombëtareve mund të marrin 26 lojtarë me vete në Euro 2024.

Megjithatë, sipas asaj që raportohet së fundmi, grumbullimi i 26 lojtarëve nuk është një detyrim, por një mundësi për trajnerët. E thënë më thjeshtë, trajneri mund të grumbullojë 23-26 futbollistë, duke mos qenë i kushtëzuar.

Ndryshe nga Europiani i shkuar, ku për shkak të pandemisë trajnerët dërguan nga 26 ftesa, me 3 prej tyre që ishin të detyruar t’i linin në tribunë, këtë herë të gjithë futbollistët do të qëndrojnë në pankinë.

Federatat janë të detyruara që të paraqesin listën përfundimtare në datën 7 qershor, vetëm 7 ditë përpara nisjes së Europianit.

Trajneri brazilian i kuqezinjve pritet që pas mesit të këtij muaji të bëjë publike listën e lojtarëve që do të grumbullojë. Me listën që me shumë mundësi nuk do të ndryshojë dhe për ndeshjet zyrtare të qershorit.

Shqipëria do të luajë dy ndeshje miqësore përpara fillimit të Euro 2024. Më 3 qershor, në orën 20:00, në stadiumin “Haladas Sport Komplexum”, në Hungari, kuqezinjtë do të kenë testin me Lihtenshtejnin.

Katër ditë më vonë, në datën 7 qershor, ora 19:00, në të njëjtin stadium, Sylvinho do të ketë mundësinë t’i shohë lojtarët kuqezi përballë Azerbajxhanit. Në testin e fundit para dueleve të zjarrta në Europianin në tokën gjermane./SS

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here