Leksionet e nxjerra nga Gjykata Kushtetuese për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe

0
273
  • Është jokushtetuese që Asociacioni si entitet t’i zëvendësojë a t’i pengojë komunat anëtare të saj, të cilat janë njësi themelore të vetëqeverisjes lokale demokratike.
  • Për shkak të dallimeve në versionet anglisht, shqip dhe serbisht në formulimin e termit “ushtrim i vështrimit të plotë” për kompetencat e Asociacionit, mund të prodhohen pasoja juridike diametralisht të ndryshme, prandaj edhe kjo duhet rivlerësuar. 
  • Asociacioni nuk mund të gëzojë autoritet të plotë dhe ekskluziv në promovimin e interesave të komunitetit serb karshi institucioneve qendrore të Kosovës.
  • Asociacioni nuk mund të ketë pavarësi financiare nga Republika e Kosovës lidhur me buxhetin. 
  • Gjersa është në fuqi Kushtetuta aktuale, ky koncept i ofruar për Asociacionin nuk mund të lejohet, për arsye se e cenon karakterin unitar dhe multietnik të shtetit të Kosovës.

Në vitin 2013, Kuvendi i Republikës së Kosovës me një ligj ka ratifikuar Marrëveshjen e Parë të “Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve” midis Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të bisedimeve të Brukselit, ku, inter alia, parashihej edhe themelimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë (tutje: AKS). Dy vite më vonë, në bisedimet e zhvilluara ishte aktualizuar rishtas çështja e Asociacionit. Tani ishte nënshkruar dokumenti që përvijonte parimet e përgjithshme/elementet kryesore. Ky dokument, i njohur si Marrëveshja e Dytë, përmbante shtatë kapituj lidhur me funksionimin e AKS-së. Në këtë Marrëveshje jepeshin hollësi të reja dhe vërehej qartazi struktura e një entiteti të veçantë juridik. Marrëveshja ishte referuar nga ana e Presidentes Jahjaga në Gjykatën Kushtetuese për kontroll të kushtetutshmërisë. 

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0130/15 të datës 23 dhjetor 2015, përkufizoi kornizat kushtetuese se si nuk mund të ishte ky asociacion duke i afirmuar nenet përkatëse kushtetuese që duhet të shërbejnë si udhërrëfyes gjatë hartimit të Statutit të AKS-së. Në vijim do të paraqiten përmbledhtazi elementet kryesore që duhen pasur parasysh për themelimin e AKS-së, të cilat kanë buruar si vërejtje të Gjykatës Kushtetuese. 

Fillimisht duhet potencuar që është jokushtetuese që AKS-ja si entitet t’i zëvendësojë a t’i pengojë komunat anëtare të saj, të cilat janë njësi themelore të vetëqeverisjes lokale demokratike. Marrëveshja e Dytë nuk ofronte garanci përballë një probabiliteti të tillë. Gjithashtu, objektivat e listuara në Marrëveshjen e Dytë nuk kanë qenë në harmoni të plotë me standardet kushtetuese, ngaqë ato objektiva nuk kanë paraparë garanci të mjaftueshme për përgjegjësinë që do ta bartnin komunat anëtare të AKS-së në respektimin e rendit kushtetues dhe legjislacionit në fuqi. Për më tepër, objektivat nuk guxojnë t’i anashkalojnë ose t’i shmangin procedurat e rishikimit administrativ të autoriteteve qendrore. 

Në këtë kontekst, disa objektiva parashihnin që AKS-ja do të “ushtrojë vështrim të plotë” në disa sfera, si: ekonomia, edukimi, kujdesi shëndetësor parësor dhe dytësor, planifikimi urban dhe rural, etj. Formulimi i tillë zgjoi vëmendjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila kishte theksuar brengosjen për amullinë e kuptimit të termit “ushtrimi i vështrimit të plotë”. Ky term në versionin anglisht të tekstit është “exercise full overview”. Formulimi i tillë mund të paraqiste dykuptimësi dhe nuk është i njëjtë me përkthimet në tekstin në gjuhën shqipe dhe as me atë në gjuhën serbe. Termi i përdorur në shqip “ushtrimi i vështrimit të plotë”, përkthehet në anglisht përafërsisht si “exercise of full view”. Ky përngjan me termin observim. Ndërkaq termi i përkthyer në serbisht “obavljanje potpunog pregleda”, në anglisht përkthehet përafërsisht si “conduct a full review”. E ky formulim ngjan me kryerjen e auditimit. Duke u nisur nga kjo premisë, mund të konkludohet se termet e versionet në shqip e serbisht mund të prodhojnë pasoja juridike plotësisht të ndryshme. Prandaj, duhet të rivlerësohen. 

Leksioni tjetër është që përbërja organizative e AKS-së duhet të jetë model i respektimit të diversitetit. Punësimet në organet e AKS-së duhet të jetësohen mbi këtë parim dhe punonjësit në këto organe nuk mund të cilësohen pjesë e shërbimit civil, në kuptimin kushtetues. Ndonëse AKS-ja mund të bëhet anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe si i tillë mund të sugjerojë nismë legjislative në konsultim me komunitetet e tjera brenda fushëveprimit të mandatit të Këshillit Konsultativ për Komunitete, AKS-ja nuk mund të gëzojë autoritet të plotë dhe ekskluziv në promovimin e interesave të komunitetit serb karshi institucioneve qendrore të Kosovës. 

AKS-ja nuk mund ta ketë kompetencën për të propozuar amendamente në legjislacion dhe në akte të tjera. Kjo për shkak se e drejta për nismë legjislative i takon Presidentit, Qeverisë, deputetëve të Kuvendit ose më së paku dhjetëmijë qytetarëve (Kushtetuta, neni 79). AKS-ja mund të nisë procedurë në Gjykatën Kushtetuese vetëm atëherë kur, si subjekt juridik, mund të pretendojë se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore, sipas logjikës së nenit 113/7 të Kushtetutës. 

Leksioni tjetër me rëndësi është ai që pohon se financimi dhe shpenzimet e Asociacionit duhet të përputhen me nenin 124/5 të Kushtetutës, i cili thotë që komunat kanë të drejtë të vendosin, të caktojnë, të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyrat e veta si dhe të marrin fonde nga qeveria qendrore, në pajtim me ligjin. Mirëpo, kjo nuk duhet të zëvendësojë ose të pengojë komunat anëtare për të pranuar dhe për të vendosur lidhur me shpenzimin e të hyrave komunale dhe financimin e duhur nga qeveria. AKS-ja nuk mund të ketë pavarësi financiare nga Republika e Kosovës lidhur me buxhetin, ngase kjo e faktorizon potencialisht kokë e këmbë Serbinë brenda Kosovës.  

Sipas Gjykatës, AKS-ja duhet të themelohet sipas Marrëveshjes së Parë. Por, krahas kësaj, Gjykata ka potencuar (thënë) duke iu referuar Kushtetutës, se Marrëveshja e Dytë nuk është plotësisht në harmoni me frymën e Kushtetutës, me nenin 3/1 [Barazia para ligjit], me Kapitullin II [Të drejtat dhe liritë themelore] dhe me Kapitullin III [Të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre] të Kushtetutës. 

Duke shfrytëzuar kompetencat e zgjeruara në emërime dhe mbikëqyrje në sektorin e sigurisë dhe në gjyqësor, AKS-ja do të mund të shkaktojë lëkundje serioze në karakterin unitar të shtetit. Nëse jo de jurede facto do të hapej udha për një strukturë autonome të komunave anëtare të AKS-së. Sistemi kushtetues i Republikës së Kosovës e njeh nivelin qendror dhe lokal të organizmit të pushtetit. Marrëveshja e Dytë ofronte një strukturë të ndryshme për AKS-në që ishte një lloj i ndërmjetëm i të dy niveleve. Gjersa është në fuqi Kushtetuta aktuale, planimetria e ngrehinës së AKS-së sipas Marrëveshjes së Dytë nuk mund të lejohet.  

Teorikisht, strukturat e tilla mund të sjellin probleme në jetën shtetërore. Posaçërisht nëse kihet parasysh qëndrimi jomiqësor i Serbisë zyrtare karshi shtetësisë së Kosovës, atëherë, një entitet si AKS-ja e Marrëveshjes së Dytë mund të përdoret për të paralizuar marrëdhëniet mes autoriteteve qendrore dhe komunave me shumicë serbe. Për fund, mund të thuhet se koncepti multietnik i sendërtuar me Kushtetutë e pamundëson që AKS-ja të pranohet si përfaqësues ekskluziv i komunave me shumicë serbe. Nuk ka kuptim demokratik që komunitetet veç e veç të themelojnë asociacione, të cilat do të jenë përfaqësuese ekskluzive të tyre kundruall pushtetit qendror.

Shkruan: Ditar KABASHI

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

Leave a Reply