Kurti: Scholzi e Macroni e bënë të qartë se pa e njohur Kosovën s’ka integrime as për fqinjtë

0
108

Kryetari i Vetëvendosjes dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se kancelari gjerman Olaf Scholz e presidenti francez Emmanuel Macron, e kanë bërë të qartë se pa e njohur pavarësinë e Kosovës, s’ka integrim evropian as për shtetet rrotull.

Këto komente, kreu i qeverisë i bëri në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku foli edhe kritikat ndaj Ballkanit të Hapur, për të cilin tha se Kosova nuk pritej e barabartë dhe kishte tendenca të qarta për ta hapur Ballkanin për autokratët e lindjes e verilindjes.

“Por ne kemi qenë proaktiv për nismat si Procesi i Berlinit. Në Berlin, pas afro 2 vite negociata, në nëntor të vitit 2022 janë nënshkruar tri marrëveshje, prej 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe para dy ditësh kuvendi i ratifikoi me propozim të qeverisë duke treguar kështu seriozitetin tonë në raport me integrimin rajonal e atë evropian”.

“Kosova është vend demokratik që do të tregojë gjithnjë konstruktivitet e energji me kushtin e vetëm, që të trajtohet me respekt dhe e barabartë me të tjerët”, është shprehur Kurti.

Tutje, ai tha se Kosova e ka pasur të qartë gjithnjë se opsioni i vetëm është Evropa./GS

Leave a Reply