Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka uruar 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar rëndësinë historike të vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti amerikan dhe lidhjen e veçantë të Kosovës me SHBA-në.
Kurti mbrëmë mori pjesë në pritjen e organizuar në ambasadën amerikane në Prishtinë me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
“250 vjet! Jeta, Liria dhe Kërkimi i Lumturisë, janë të veçuara në preambulën e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mesin e të drejtave të patjetërsueshme, si themel i qeverisjes që krijohet me miratimin e popullit. Derisa bota e civilizuar është frymëzuar nga këto vlera, populli ynë për kohë shumë të gjatë ka qenë i privuar nga këto të drejta. E në këtë mes, përjetimi ynë është unik sepse për ne jetësimi i këtyre vlerave dhe të drejtave është i lidhur ngushtë me ShBA-të. Prandaj, këmbënguljes dhe sakrificës së popullit tonë për liri e pavarësi, natyrshëm i erdhi ndihma amerikane”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Ai tha se Kosova mbetet përherë falënderuese dhe mirënjohëse ndaj SHBA-së për ndihmën, partneritetin dhe aleancën që i cilësoi si të pazëvendësueshme.
“Mbrëmë isha i nderuar të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Pavarësisë së ShBA-ve në ambasadën amerikane në kryeqytetin e Republikës sonë. Kosova është përherë falënderuese e mirënjohëse ndaj ShBA-ve për ndihmën, partneritetin dhe aleancën e pazëvendësueshme”, shkroi Kurti.















































