Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë dështuar këtë të martë ta zgjedhin presidentin, duke bërë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda afatit prej 45 ditësh, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në seancat e mbajtura për zgjedhjen e presidentit dje kanë marrë pjesë vetëm deputetët e pushtetit, ndërsa partitë opozitare kanë munguar.
E një gjë e tillë e ka pamundësuar kuorumin e nevojshëm për votim.
Që nga viti i kaluar këto do të jenë zgjedhjet e pesta duke reflektuar një krizë të vazhdueshme institucionale në vend.
Seanca për zgjedhjen e presidentit kishte nisur të hënën, ku Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën si kandidate, pas mungesës së një marrëveshjeje politike. Në raundin e parë të votimit, Feride Rushiti kishte marrë 63 vota, ndërsa një votë ishte shpallur e pavlefshme, duke mos arritur kuorumin prej 80 votash.
Pas dështimit të votimit, procesi ishte shoqëruar me reagime të shumta, ku disa palë e kishin cilësuar situatën si antikushtetuese.
Seanca ishte shtyrë disa herë gjatë ditës – fillimisht ishte lajmëruar në orën 10:00, më pas në 14:00, 19:00 dhe përfundimisht në 23:00 por pa asnjë rezultat.
Gjatë gjithë ditës, si pushteti ashtu edhe opozita kanë mbajtur konferenca për media, duke ia hedhur përgjegjësinë njëra-tjetrës për bllokadën institucionale.
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar sjelljen e opozitës si joshtetërore dhe antiinstitucionale, duke e akuzuar për bllokim të proceseve kushtetuese.














































