Juventus-Milan rikthen magjinë e futbollit italian

0
624

Pas pak më shumë se tre muajsh rikthehet më në fund futbolli në Itali. Gjithçka rinis këtë të premte (12 qershor) me gjysmëfinalen e parë të kthimit të Kupës së Italisë Juventus-Milan.

Si për koincidencë, janë dy emra sugjestionues që rikthejnë emocionet e pazëvendësueshme të një futbolli që përtej Adriatikut u ndal më 9 mars.

Për shkak të pandemisë COVID-19, futbolli nuk do të jetë më si më parë, të paktën përkohësisht. Trajnerët do të kenë mundësi të bëjnë pesë zëvendësime, me maksimumi tri ndërprerje gjatë 90 minutave. Futbollistëve, që mund të shfaqin probleme të shumta fizike për shkak të ndërprerjes së gjatë, do t’u kursehet koha shtesë (dy pjesë nga 15 minuta) dhe në rast të një rezultati identik me atë të ndeshjes së parë, do të shkohet direkt te penalltitë.

Ndeshja e parë, e zhvilluar në “San Siro”, përfundoi barazim 1-1. Kuqezinjtë ishin shumë pranë suksesit, pas golit të shënuar nga Rebic, por në minutën e parë shtesë CR7 shënoi nga pika e bardhë, duke u dhënë një epërsi jo të vogël bardhezinjve në këtë sfidë të kthimit. Si do të rreshtohen ekipet në “Allianz Arena”?

Edhe pse e ka thënë disa herë se Cristiano-Dybala nuk e kanë të lehtë të luajnë njëkohësish, për shkak të dallimit në lojën e tyre, Sarri pritet t’i hedhë në fushë titullarë ndaj Milanit, bashkë me Douglas Costan, duke formuar një tredhëmbësh të frikshëm.

Në kampin tjetër, Rebic, do të marrë mbi shpatulla peshën e sulmit në rreshtimin 4-2-3-1 (duke parë mungesën e Ibras?).

Sa i përket temës së trajnerëve, si për Sarrin ashti edhe Piolin e ardhmja mbetet e paqartë. Sidomos për trajnerin kuqezi eliminimi do ta afronte me një divorc të pashmangshëm, në të kundër, drejtuesit do të viheshin në dilemë e në varësi të mbylljes së sezonit, mund ta konfirmojnë, pavarësisht se hija e Rangnik e përndjek prej muajsh.

Leave a Reply