Ishte pranë dorëzimit, tani më i motivuar se kurrë, Arbnor Rifati premton shumë

0
185

Kur asnjë skuadër elitare e basketbollit të Kosovës nuk kishte në krye të bankinës një trajner vendor, ishte ai që e bënte diferencën.

Jo vetëm në aspektin e nacionalitetit, por Arbnor Rifati me Prizrenin e tij, jo rrallë herë i ‘demolonte’ ekipet kundërshtare, të cilat për teknikët e huaj kanë ditur të japin paga edhe me pesë shifra, njofton Klankosova.tv.

Mungesa e tij për një kohë si trajner aktiv, nënkuptonte edhe mungesë karizmi në parket, në intervista pas ndeshjeve e poashtu edhe në basketbollin atraktiv në palestrat kosovare.

Arbnor Rifati duke udhëhequr skuadrën e tij

Por nga ky edicion, “Prince Caffe Superliga” sërish është e pasuruar me kryetrajnerin karizmatik prizrenas.

Megjithatë, deri te ky momentum, pati goxha skepticizëm edhe nga ana e tij nëse duhet të merret me këtë sport, zyrtarisht.

Në një intervistë eksluzive për Klankosova.tv, pos mbështetjes së familjes së tij, Rifati i falenderohet edhe një personi unik për të, për të cilin thotë të ketë kontribuar shumë për ribashkimin e tij me basketbollin aktiv.

“Ndjesi e jashtëzakonshme të kthehem prapë. Jam i lumtur dhe i gëzuar, pasi të them të drejtën kam kaluar në disa faza të vështira, sa që edhe e kam menduar tërheqjen totale nga basketbolli, bile edhe shuarjen e klubit “Proton Cable Prizreni”. Por njerëzit e afërt dhe familja mbi të gjitha, më kanë mbështetur shumë. Kurse, falenderimi im i veçantë shkon për një njeri ‘anonim’ nga komuniteti basketbollistik, i cili nuk mund ta përshkruaj me fjalë se sa shumë më ka suportuar, dhe ja tani, ‘Special One’ do rikthehet ne skenë”, rrëfen Rifati.

Bashkë me rikthimin e Arbnorit në basketbollin e luajtur, vjen edhe Superkupa e Kosovës, që i paraprinë fillimit të edicionit të ri, 2024/25, raporton Klankosova.tv.

Arbnor Rifati, “Proton Cable Prizreni”

Në stilin e tij unik, timonjeri i prizrenasëve “bardhë e zi” i çon selame konkrete Pejës, kur pyetet për gjasat në duel me ta, në çerekfinale të turneut që nis me 7 shtator në Prizren.

“Ne Pejën kemi potencial ta mposhtim edhe në “Karagaç”. E sigurisht se terreni vendas, shikuesit e adhuruesit e Prizrenit do na e lehtësojnë objektivin tonë. Mendoj se nuk është befasi ta mposhtim Pejën, pasi atë e kam bër shumë herë. Ne e kemi në vitrinë trofeun e Superkupës, të fituar në vitin 2022-23. Edhe tani do të japim gjithçka për ta prezentuar ekipin në mënyrën më të mirë të mundshme. Do të jetë goxha nxehtë” shprehet trajneri i shpallur si më i miri në Kosovë, në vitin 2021.

Arbnor Rifati me trofeun e fituar të Superkupës

Si do të jetë në edicionin e ri “Proton Cable Prizreni” sipas Rifatit, i cili njihet edhe si ekspert i prurjeve të lojtarëve të huaj në Kosovë?

“Klubi po rritet çdo ditë, e ne sigurisht se këtë politikë do ta vazhdojmë edhe sivjet. Ne jemi të lumtur që si klub kemi arritur shumë për një periudhë të shkurtër, e këtë do e bëjmë edhe sezonin e ri, një ekip cilësor, të huajt poashtu cilësor edhe nje ekip që do garojë çdo ndeshje për fitore”, shton “The Special One”.

Si e bën të ndjehet fakti që mbetet ndër të rrallët trajner vendor në krye të një skuadre elitare, e shpesh herë ka qenë edhe i vetmi?

“Mendoj se kam dhënë mjaftueshëm si trajner vendor, këtë do ta bëjë prapë, ‘fluturime do të ketë sivjet’ (e thotë me shaka)”.
Unë do të isha më i kenaqur që të gjitha ekipet të kenë ne gjirin e vetë kryetrajnerët vendorë,  por edhe trajneret duhet punuar dhe të jenë të gatshëm kur skuadrat ua japin rastin. Këtë e deshmoi edicionin e kaluar prof.Albert Sylejmani, cili udhehoqi Prishtinën në mënyrë fenomenale, duke arritur ta fitojë Ligën Ballkanike”, shprehet prizrenasi, si një “fanatik” i produktit vendor.

“Për fund, ua kujtoj se skuadra ime ka me qenë ajo simpatikja, siç edhe e kemi epitetin në basketboll, duke dhënë shumë, duke shfaqur lojëra të mira dhe spektakel, përgjatë tërë kampionatit”, përfundon Rifati.

Momente gëzimi të Arbnor Rifatit

“Proton Cable Prizreni” do ta luaj të shtunën me fillim në orën 17:00, duelin çerekfinal të Superkupës së Kosovës në basketboll, ndaj Pejës, përballje kjo e para zyrtare për Arbnor Rifatin, pas rikthimit në krye të bankinës së skuadrës së tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here