Viti 1986 zë një vend të veçantë në historinë e futbollit francez, pasi përfaqësuesja e Francës e përfundoi e treta Botërorin e organizuar në Meksikë. Ishte medalja e parë e bronztë për francezët pas 28 vjetësh, që nga suksesi në Suedi më 1958.
Katër dekada më vonë, Franca synon të hapë një tjetër kaptinë historie në Botërorin që do të mbahet në Amerikën e Jugut.
Përfaqësuesja franceze, e udhëhequr nga Didier Deschamps dhe me 26 futbollistët e përzgjedhur, synon ta fitojë titullin e tretë të kampionit të botës, pas triumfeve në vitet 1998 dhe 2018.
Pjesë e skuadrës franceze në Botërorin e vitit 1986 ishte edhe Alain Giresse, i cili më vonë e udhëhoqi edhe Kosovën, nga viti 2022 deri më 2023.
“Mendoj se Franca është pretendente për të triumfuar”, ka thënë Giresse.
Ai ka theksuar se përfaqësuesja franceze ka potencial të madh krahasuar me rivalët e tjerë.
“Nëse i krahasoni me përfaqësueset e tjera, ka shanse reale që Franca të bëhet kampione e botës. Por, gjithçka do të vendoset në fushë”, ka shtuar ai.
Giresse ka veçuar edhe disa prej futbollistëve që sipas tij mund të kenë rol të rëndësishëm për Francën, përveç Kylian Mbappes.
“Michael Olise dhe Desire Doue janë në formë të mirë dhe mund t’i ofrojnë ekipit të Francës atë që me të vërtetë ka nevojë”, ka thënë 73-vjeçari.
Gjatë periudhës sa ishte në krye të Kosovës, Giresse e udhëhoqi ekipin në 14 ndeshje, duke regjistruar katër fitore, gjashtë barazime dhe katër humbje.















































