Inspektorati Policor nis hetimet për vrasjen e shtatzënës, dyshohet për neglizhencë në polici

0
369

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka filluar hetimet lidhur me lëshimet eventuale nga ana e Policisë së Kosovës për rastin e të dyshuarit Sokol Halili, i cili po dyshohet se vrau ish-bashkëshorten shtatzënë, mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e QKUK-së.

IPK ka njoftuar se ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy departamente operative në IPK-së – Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka , i cili tha se ata janë angazhuar për të grumbulluar të dhënat për veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve policorë për incidentin në fjalë.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim paraprak dhe ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga departamentet operative të IPK-së (Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve) të cilët janë angazhuar në grumbullimin e të dhënave lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve policorë në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin në fjalë”, tha Beka.

Ndryshe, lidhur me të dyshuarin për vrasjen e gruas shtatzënë, Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ndaj të njëjtit ka aktakuzë për kanosje të tani të ndjerës, ku në shyqrtimin fillestar, S.H ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Kurse, S.H është i dënuar me 300 euro gjobë për armëmbajtje pa leje dhe të njëjtit i është konfiskuar arma.

Po ashtu, Gjykata e Ferizajt njoftoi se ndaj viktimës gjykata kishte lëshuar urdhër-mbrojtje në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, duke filluar nga 13 shtatori 2022 deri më 13 mars 2023.

Pas këtij rasti dhe vrasjeve të fundit që kanë ndodhur në Kosovë, është paralajmëruar një protestë për sot në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku do të kërkohet që vrasjet e grave nga burrat të trajtohen si urgjencë kombëtare.

Ndryshe, prokurori i rastit, Ilaz Beqiri, ka thënë se ndaj të dyshuarit ka pasur të raportuara disa raste të dhunës në familje, ndërsa theksoi se në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja të plumbave.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Ferizajt ka reaguar duke thënë se kompetente për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia.

KMDLNJ ka konstatuar se vrasja e gruas shtatzënë ndodhi shkaku i dështimit të mekanizmave mbrojtës të shtetit

Vrasja e shtatzënës ka nxitur reagime të shumta, ku krerët e shtetit kërkuan që organet e drjetësisë të kapin autorin e krimit sa më shpejtë dhe të njëjtit t’i jepet dënim meritor./BpD

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here