Iluzioni i shtrirjes së sovranitetit dhe teatri i sukseseve të rreme

0
377

Veriu i Kosovës, një ndër zonat më të ndërlikuara politikisht e ekonomikisht në rajon, është një problem që s’ka lindur vetvetiu, por është krijuar me një qëllim të qartë. Një “shesh betejë” për interesa ndërkombëtare, që nga ato angleze e franceze e deri te amerikanët e rusët – të gjithë janë të lidhur pas pasurive të tij të fshehura, sidomos minierës së Trepçës. Ky realitet s’është diçka që ndonjë qeveri në Prishtinë mund ta ndryshojë, edhe pse secila e radhës mundohet të paraqesë sukseset në veri si të qenësishme e përparimtare. Por a është e vërtetë që qeveria aktuale e Albin Kurtit ka arritur një fitore në veri apo kjo është vetëm një iluzion, i përkoshëm dhe i ndërtuar mbi gabime të qëllimshme apo skenare të dakorduar?

Për të kuptuar të ashtuquajturin “sukses” të qeverisë së Kosovës në veri, duhet të hedhim një sy më të mprehtë te forcat që realisht kanë ndikim. Struktura paralele serbe nuk është e vetmja dorë që vepron, janë forca ndërkombëtare që për vite kanë lehtësuar dhe ngatërruar këtë situatë për të ruajtur një ekuilibër artificial. Vetë faktori ndërkombëtar në këtë kontekst ka më shumë se një herë shfaqur një dorë të dyfishtë, nga njëra anë, duken sikur mbështesin shtetin e Kosovës për të shtrirë sovranitetin, ndërsa nga ana tjetër, e mbajnë një veriu një minë me sahat për interesa ekonomike e politike që s’kanë asnjë lidhje me nevojat e qytetarëve të thjeshtë.

Që në momentin kur strukturat paralele serbe filluan të tërhiqen nga institucionet e Kosovës dhe të bojkotojnë zgjedhjet lokale, ky duket një hap i llogaritur dhe jo një “gabim” i thjeshtë. Sa më shumë që qeveria e Kosovës përpiqet të paraqesë këtë zhvillim si sukses të politikës së saj, aq më i dukshëm bëhet fakti që kjo tërheqje është një lëvizje strategjike për të krijuar hapësirë për Asociacionin e Komunave Serbe. Duke bërë të duket sikur struktura paralele nuk janë më aktive, krijohet përshtypja që ky Asociacion nuk paraqet më kërcënim për integritetin e Kosovës. Një kurth elegant, ku qeveria mund të shesë këtë lëvizje si fitore dhe të përgatitë terrenin për një nënshkrim të detyruar nga presionet ndërkombëtare.
Përralla e sovranitetit dhe “bryma pas diellit”
Në pamje të parë, ngjarjet e fundit mund të duken si hapa drejt konsolidimit të sovranitetit në veri, por të gjitha treguesit flasin për të kundërtën. Nëse pranojmë se ky “sukses” është rezultat i presioneve të njëanshme nga jashtë dhe jo i një procesi të natyrshëm të ndërtimit të shtetit, atëherë e dimë që është po aq i përkohshëm sa është edhe mbështetja e atyre që janë pas tij. Nëse mbahen zgjedhjet e reja lokale dhe serbët e veriut i marrin përsëri institucionet lokale, atëherë çdo fitore e përkohshme do të tretet si bryma nën diell. Do të kthehemi sërish në pikën ku ishim, ku strukturat paralele e kontrollojnë veriun dhe i mbajnë nën hije përpjekjet e Kosovës për të shtrirë ndikimin e saj.

Kush përfiton nga kjo skemë?
Ndoshta është e vështirë të besohet, por në këtë kaos të qëllimshëm të krijuar nga gabime “të paqëllimshme,” janë të gjitha palët që dalin të përfituara, përfshirë këtu edhe shtetin e Kosovës. Kurse qytetarëve u hidhet vetëm “suksesi” i radhës, një lëvizje që tingëllon si fitore, por që në thelb është thjesht një fasadë për konsum publik, një përpjekje për të fituar miratim të përkohshëm brenda dhe jashtë vendit.
Në këtë kuptim, veriu mbetet një peng i strategjive të mëdha, një iluzion që qeveritë, përfshirë edhe të Kurtit, do të vazhdojnë të paraqesin si sukses, deri në ditën kur do të duhet të përballen me realitetin e kthimit në pikën fillestare. Deri atëherë, të gjithë jemi vetëm spektatorë në këtë teatër të planifikuar nga ata që s’e shohin veriun si tokë të Kosovës, por si një gur që lëvizet sipas nevojave të fuqive të mëdha dhe lojtarëve rajonalë.

Shkruan: Blerim Q. SARAMATI

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here