Në rrugën “Ismet Jashari” të qytetit të Prizrenit ndodhet njëri ndër berberët më të vjetër të këtij qyteti. Ai është Vesel Shishko. Dyqani i quajtur “Ekspres” nuk ka ndërruar asgjë që nga viti 1982.
Çdo gjë është ruajtur që nga ajo kohë nga Veseli dhe babai i tij, Haxhiu, prej të cilit e ka trashëguar këtë profesion.
“As kur ha bukë s’knaqna ma shumë sesa ta ushtroj këtë profesion”, thotë duke buzëqeshur ai.
Pozitivizmi dhe dashuria që ka për punën e tij e shoqëron gjatë gjithë kohës.
Çmimi për prerje të flokëve tek ai kushton vetëm 2 euro dhe prejse është hapur dyqani nuk e ka ndryshuar asnjëherë.
Ky dyqan ka qenë dhe është bereqeti i shtëpisë sonë, thotë Veseli. Dikur në këtë rrugë i numëronte në gishta berberët, kurse tani janë mbi 20.
Këtë profesion Shishko e ushtroi për 2 vjet edhe në Zvicër. Metoda e prerjes së flokëve që bën ai u kishte lënë përshtypje edhe zviceranëve.
Profesionit të tij ai ia kushton 12 orë në ditë. Edhe pse përhapja e pandemisë ka ndikuar që të mos ketë punë si më parë, ai thotë se mjeshtri i flokëve nuk i humb asnjëherë klientët e vet.