Detaje të reja janë mësuar për aksidentin tragjik që ndodhi mëngjesin e 15 gushtit në hyrje të fshatit Bukosh të Suharekës, ku si pasojë e përplasjes së dy automjeteve humbi jetën një grua 29-vjeçare.
Sinjali mëson se viktima është Arjeta Luzha, 29 vjeçare, ndërsa shoferi që po trajtohet si i dyshuar në këtë rast është Butrint Kadolli, 22 vjeçar..
Sipas të dhënave të rastit, aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:35, derisa Kadolli po lëvizte me një Jeep Cherokee me targa gjermane, nga Suhareka në drejtim të fshatit Bukosh.
Dyshohet se, me të arritur në hyrje të fshatit, 22-vjeçari ka kryer manovra me shpejtësi të rrezikshme, duke dalë fillimisht në anën e majtë jashtë rrugës dhe më pas duke u kthyer në të djathtë.
Pikërisht gjatë kësaj manovre, sipas të dhënave fillestare të hetimit, Jeep-i ka goditur fuqishëm me pjesën e përparme një Mercedes C200, në derën e majtë të tij.
Mercedesin e drejtonte Luzha, e cila po qarkullonte nga drejtimi i kundërt, Bukosh–Suharekë.
Goditja ka qenë e fuqishme, ndërsa pas përplasjes të dy automjetet kanë përfunduar jashtë rrugës.
29-vjeçarja ka pësuar lëndime të rënda dhe është transportuar për ndihmë mjekësore, por fatkeqësisht nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve. Vdekja e saj është konstatuar nga mjeku kujdestar në ambulancën në Suharekë.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokurori kujdestar nga Prizreni, ndërsa me urdhër të tij Butrint Kadolli është ndaluar dhe dërguar në Qendrën e Mbajtjes.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë dhe më pas u është liruar familjarëve.
Hetimet për përcaktimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësisë për aksidentin janë duke vazhduar.
29-vjeçarja humbi jetën pas përplasjes së Jeep-it me Mercedesin në Suharekë./Gazeta Sinjali/














































