Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, është takuar me homologun e tij nga Kosova, Ejup Maqedonci, në Selinë e NATO-s në Bruksel.
Takimi u zhvillua më 17 nëntor 2026, në prag të mbledhjes së 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës (UDCG).
Pas takimit, ministri Nufi ka riafirmuar mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO, duke e cilësuar këtë proces si një domosdoshmëri strategjike për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
“Kosova në NATO është nevojë strategjike për forcimin e stabilitetit rajonal, parandalimin e konflikteve dhe shmangien e rrezikut të hapjes së fronteve të reja të pasigurisë në Evropë”, u shpreh Nufi.
Ai theksoi se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë këtë aspiratë me vendosmëri, në çdo forum dhe në çdo nivel të bashkëpunimit euroatlantik.
“Një NATO më e fortë në Ballkan do të thotë edhe një Evropë më e sigurt!”, përfundoi ministri shqiptar i Mbrojtjes.















































