Ndeshje dëmtimesh, vonesash dhe “thyerje mallkimesh” ishte takimi i parë i sezonit 2022-2023 të Premier League mes Everton dhe Chelsea-t.
Skuadra e Tuchel fitoi me rezultatin minimal 0-1, në një sfidë që rezultoi më e vështirë seç pritej për “Blutë” e Londrës.
Ndeshja u ndërpre në minutën e 18’ pas një dëmtimi “horror” të Godfrey, me lojtarin e Everton që u largua me barelë nga fusha e lojës. Takimi vazhdoi me barazim pa gola deri në minutën e 45+9, kur Jorginho “theu mallkimin” dhe ia doli të shënonte nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhuruar avantazhin dhe golin fitores skuadrës së tij.
Në fraksionin e dytë të ndeshjes ishte Koulibaly ai i cili u detyrua të linte fushën e lojës pas një dëmtimi në minutën e 75’, duke i lënë vendin afrimit të kësaj vere Cucurella.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Broja do të hynte në fushë në minutën e 75’ duke marrë vendin e Havertz dhe në rreth 25 minuta në lojë shqiptari fitoi një faull dhe rrezikoi portën e Pickford me një goditje me kokë, por pa mundur të realizonte.
Për shkak të vonesave të shumta kjo sfidë u mbyll në minutën e 90+10’, me Chelsea-n që mori tre pikët e para të edicionit të ri të Premier League.