BE zbulon temën kryesore të bisedimeve në Ohër, do të ketë edhe takim trepalësh

0
145

Nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut do mbahet takimi i radhës në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku pritet të zhvillohen takime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas agjendës së takimit, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, bashkë me të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të zhvillojnë takime dypalëshe me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

E pas përfundimit të takimeve të ndara, do të ketë edhe një takim të përbashkët trepalësh.

Takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit Zbatues të Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Borrell.

“Koha e saktë do të përcaktohet gjatë pasdites”, thuhet në njoftimin e EEAS.

Kujtojmë se Kurti është shprehur i gatshëm që në Ohër, nën ndërmjetësimin e BE-së, të nënshkruajë marrëveshjen, por Vuçiq ka deklaruar se nuk i shkon në mendje që ta nënshkruajë “kapitullimin e Serbisë”.

Dokumenti prej 11 nenesh – që është bërë publik nga Bashkimi Evropian – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Por, të dyja shtetet kanë synime të ndryshme sa i përket një marrëveshjeje finale. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

Leave a Reply