Një 21-vjeçar nga Austria ka pranuar se pati planifikuar sulm xhihadist në një koncert të Taylor Swiftit në Vjenë në gusht të 2024-tës.
Burri, i njohur vetëm si Beran A., po ashtu ka pranuar se ka qenë pjesë e një organizate terroriste, edhe pse ka mohuar të gjitha akuzat tjera, përfshirë ato për planin për sulm në Mekë të Arabisë Saudite.
Prokuroria e Shtetit ka thënë se në shtëpinë e burrit ka gjetur një bombë pothuajse të kompletuar.
Beran A. ishte arrestuar pas informacioneve nga CIA pak para koncertit të planifikuar të Swiftit në Vjenë.
Si rezultat, tri koncerte krejtësisht të shitura në stadiumin “Ernst Happl” u anuluan. Më shumë se 195 mijë njerëz pritej të merrnin pjesë.
Beran akuzohet për terrorizëm dhe shkelje të tjera.
Ai akuzohet bashkë me një 21-vjeçar të njohur si Arda K., që bashkë akuzohen se kanë qenë pjesë e Shtetit Islamik. Ata akuzohen se kanë planifikuar edhe sulme në Mekë, Stamboll e Dubai.
“Klienti im ka shkaktuar goxha frikë dhe panik te njerëzit dhe do të përgjigjet për këtë, nuk ka asnjë dilemë”, ka thënë avokatja e tij.
Sipas akuzës, Beran kishte planifikuar sulmin të paktën deri më 21 korrik 2024. Ai u arrestua më 7 gusht, një ditë para koncertit të planifikuar.
Prokurorët e akuzojmë se ka shpërndarë edhe propagandë online si dhe ka përgatitur eksplozivë. Sipas akuzës, ai ka marrë instruksione nga interneti se si të përgatitet një bombë e stilit të IS-it.
Të dy mund të përballen me deri 20 vjet burgim nëse shpallen fajtorë.
Ylli botëror i muzikës, Taylor Swift, pati mësuar për planin teksa ishte në aeroplan për në Austri. Ajo ishte shprehur se falë CIA-s është shmangur një masakër./GazetaSinjali/














































