Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë në Suharekë nën dyshimin për veprën penale të fajdesë, pas një hetimi disa vjeçar të zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se të dyshuarit, B. K dhe H.T, dyshohen se që nga viti 2021 kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj viktimave L. S dhe M. S, me qëllim përfitimin e interesit nga veprimtaria e kundërligjshme e fajdesë.
Sipas hetimeve, të dyshuarit dyshohet se i kanë detyruar viktimat të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre, duke u shkaktuar humbje të konsiderueshme materiale.
Më 5 qershor 2026, hetuesit policorë kanë realizuar arrestimin e të dyshuarve, ndërsa me urdhër verbal të Prokurorit të Shtetit është kryer edhe kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të njërit prej tyre.
Gjatë bastisjes nuk janë gjetur sende të dyshimta që lidhen me rastin, megjithatë hetimet kanë vazhduar mbi bazën e provave të siguruara gjatë procedurës hetimore.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, B. K. i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa H.T është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti po hetohet si vepër penale “Fajde”./Gazeta Sinjali/















































