Ulja e konsumit të ushqimeve të kripura me tepri si mishi i thatë, buka dhe drithërat e mëngjesit mund të sjellë reduktim të rrezikut të zhvillimit të kancerit të stomakut, bëhet e ditur nga një studim i ri i Fondit Boëror të Kërkimit për Kancerin.
Studimi i sugjeron njerëzve të konsumojnë më pak kripë si dhe i sugjeron qeverive të imponojnë etiketa më shpjeguese për përmbajtjen e kripës në ushqimet e gatshme.
Studimi vëren se në Britaninë e Madhe, një nga shtatë rastet e kancerit të stomakut mund të parandalohet në rast se njerëzit respektojnë kuotat e pranueshme të konsumit të kripës.
Konsumimi i tepërt i kripës është i dëmshëm për presionin e gjakut dhe mund të sjellë sëmundje të zemrës apo infarkt. Por një element tjetër është që krika ndikon në kancerin e stomakut.
Mjekët këshillojnë konsumim kripe jo më të lartë se sa 6 gramë në ditë, ndërsa vrojtime të ndryshme tregojnë se njerëzit aktualisht konsumojnë 8.6 gramë në ditë.
Kate Mendoza, eksperte komunikimi në qendrën kërkimore mbi kancerin thotë se kanceri i stomakut rezulton shumë shpesh i vështirë për t’u mjekuar tërësisht për shkak se shumica e rasteve zbulohen vetëm në një fazë të avancuar.
Kripa është e domosdoshme për njeriun dhe gjatë shekujve ka qenë edhe një mjet mbijetese për konservimin e ushqimeve për periudha të gjata, duke u bërë një mall strategjik për shumë vende. Por konsumi i tepërt i kripës mbart rreziqe, të cilat sot janë tërësisht të shmangshme.