Disa ilaçe të përdorura gjerësisht për trajtimin e tensionit të lartë të gjakut mund të lidhen me një rrezik më të lartë për komplikime serioze të veshkave te pacientët me diabet të tipit 2, sugjeron një studim i ri.
Hulumtimi zbuloi se personat që merrnin barna të grupit të njohur si bllokues dihidropiridinë të kanaleve të kalciumit, DCCB, kishin rreth 33 për qind rrezik më të lartë për probleme të rënda të veshkave krahasuar me pacientët që përdornin lloje të tjera ilaçesh për tensionin.
Në këtë grup përfshihen barna të përdorura gjerësisht si amlodipina dhe lacidipina, por edhe felodipina, lercanidipina, nicardipina, nifedipina dhe nimodipina.
Ekspertët theksojnë se rezultatet nuk provojnë se këto ilaçe shkaktojnë drejtpërdrejt dëmtim të veshkave, por thonë se gjetjet kërkojnë hetime të mëtejshme.
Studimi përfshiu mbi 31 mijë persona me diabet të tipit 2
Studiuesit izraelitë ndoqën për pesë vjet më shumë se 31 mijë të rritur me diabet të tipit 2.
Rreth 40 për qind e pjesëmarrësve përdornin DCCB, ndërsa të gjithë merrnin edhe terapi të tjera që synojnë mbrojtjen e veshkave.
Pacientët me diabet të tipit 2 janë tashmë më të rrezikuar nga sëmundjet e veshkave, pasi nivelet e larta të sheqerit në gjak mund t’i detyrojnë organet të punojnë më shumë dhe me kalimin e kohës të dëmtojnë sistemin e filtrimit.
Rezultatet, të prezantuara në Kongresin e Shoqatës Evropiane të Veshkave në Glasgow, treguan se përdoruesit e DCCB-ve kishin 33 për qind rrezik më të lartë për komplikime serioze renale.
Këto përfshinin një rënie prej më shumë se 40 për qind të funksionit të veshkave.
Pjesëmarrësit që përdornin këto barna kishin gjithashtu më shumë gjasa të zhvillonin sëmundje renale në fazë përfundimtare, e cila mund të kërkojë dializë ose transplant të veshkës.
Pse mund të ndikojnë këto ilaçe?
DCCB-të funksionojnë duke relaksuar dhe zgjeruar enët e gjakut, duke lehtësuar qarkullimin dhe duke ulur tensionin.
Studiuesit dyshojnë se në disa pacientë ky efekt mund të ndikojë edhe në mënyrën se si gjaku qarkullon nëpër veshka.
Sipas një hipoteze, zgjerimi i tepërt i enëve të gjakut mund të rrisë sasinë e lëngut që kalon në sistemin filtrues të veshkës, duke kontribuar potencialisht në dëmtim të mëtejshëm.
Megjithatë, kjo mbetet një shpjegim i mundshëm dhe jo një mekanizëm i provuar.
Ekspertët: duhen studime të tjera
Dr Timna Agur, nefrologe në Rabin Medical Center dhe autore kryesore e studimit, tha se rezultatet ngrejnë pyetje të rëndësishme për zgjedhjen e trajtimit te pacientët me diabet.
“Gjetjet tona ngrenë pyetje të rëndësishme nëse këto medikamente janë gjithmonë zgjedhja më e mirë për pacientët që tashmë marrin terapi moderne për mbrojtjen e veshkave”, tha ajo.
Ajo shtoi se, për shkak se këto barna përshkruhen shumë shpesh, edhe një rritje e vogël e rrezikut mund të ketë pasoja të rëndësishme për një numër të madh pacientësh.
Shumë raste të sëmundjes së veshkave mbeten të pazbuluara
Studimi vjen në një kohë kur specialistët në Britani po kërkojnë përdorim më të gjerë të testeve të urinës për të zbuluar më herët sëmundjen e veshkave të lidhur me diabetin.
Sipas të dhënave të cituara në raport, miliona njerëz në Britani mund të jetojnë me sëmundje kronike të veshkave, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e rasteve mbeten të padiagnostikuara.
Hulumtimet e Kidney Care UK kanë treguar se shumë pacientë me diabet dhe tension të lartë, të cilët më vonë zhvilluan probleme renale, nuk ishin informuar më herët se bënin pjesë në grupin me rrezik të shtuar.
Po ashtu, një pjesë e konsiderueshme e personave me diabet nuk kryejnë rregullisht testet e thjeshta të urinës që mund të zbulojnë shenjat e hershme të dëmtimit të veshkave.
Ekspertët theksojnë se diagnostikimi i hershëm është thelbësor, pasi trajtimi në fazat fillestare mund të ngadalësojë ose në disa raste të ndalojë përparimin e sëmundjes.
Rezultatet e reja nuk nënkuptojnë se pacientët duhet t’i ndërpresin vetë ilaçet për tensionin. Çdo ndryshim i terapisë duhet të bëhet vetëm pas konsultimit me mjekun, veçanërisht pasi studimi tregoi një lidhje statistikore dhe jo një raport të provuar shkak-pasojë. /GazetaExpress/















































