ShBA: Të shqetësuar me kundërshtimet e PDK-së dhe LDK-së për Propozimin Evropian

0
166

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) janë shprehur me tone mjaft kritike ndaj Propozimit Evropian gjatë javës së kaluar. Dhe kjo duket se ka shqetësuar ShBA-të.

LDK ka potencuar mungesën e njohjes reciproke, mungesën e garancisë se shtetet mos-njohëse do ta njihnin Kosovën, praninë e Asociacionit si dhe faktin se marrëveshja kishte karakter të përkohshëm dhe jo përfundimtar.

Argumente të ngjashme ka përdorur edhe PDK-ja.

E kjo duket se ka shqetësuar ShBA-të, që në një komunikim me gazetën Paparaci, kanë deklaruar se qëndrimet e partive më të mëdha opozitare në vend nuk përputhen me qëndrimet e tyre.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së,” – u shpreh një zëdhënëse e ambasadës amerikane në Prishtinë.

“Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-ve për propozimin,” – thuhet më tej në këtë reagim.

ShBA në mënyrë të qartë dhe të prerë ka mbështetur negociatat që po zhvillohen në Bruksel por edhe arritjen e pajtimit për Propozimin Evropian.

Ndërkohë që aleati më i madh i Kosovës po ashtu vazhdon të përsëris thirrjet drejtuar Qeverisë së Kosovës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Gjatë ditës së sotme, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, u shpreh se Kosova duhej ta themelonte Asociacionin ndërsa shtoi se ky ishte “test për autoritetet e Prishtinës”.

Kujtojmë se kreu i LDK-së Abdixhiku dhe ai i PDK-së Krasniqi në vazhdimësi kishin denoncuar atë që e konsideronin si degradim të pozicionit negociues të Kosovës. Megjithatë, të dy vazhdimisht i kanë bërë thirrje Qeverisë Kurti që të koordinonte veprimet me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, veçanërisht me ShBA-të.

Nacionale do të provojë që të marrë një qëndrim nga të dyja partitë politike në orët në vijim./Nacionale.com/

Leave a Reply