Joseph: BE ta kritikojë privatisht Kosovën për Specialen – Justina-Pula do të jetë udhëheqëse e besueshme për të gjithë

0
6

Profesori amerikan, Edward Joseph, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet t’i trajtojë privatisht shqetësimet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, ndërsa thekson se Kosova ka të drejtë t’i kritikojë ato. Joseph foli edhe për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në, votimin e ligjit dhe zgjedhjen e presidentes Justina Shiroka Pula.

Profesori amerikan i ka cilësuar të gabuara kritikat publike të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës lidhur me ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se një qasje e tillë e vështirëson dialogun dhe i krijon hapësirë Serbisë që të përfitojë politikisht.

“Siç e kam deklaruar edhe më parë publikisht, mendoj se këto kritika publike të Bashkimit Evropian janë gabim. Marta Kos e di shumë mirë se Kosova është e përfshirë në një dialog. BE-ja vazhdimisht po e shtyn përpara dialogun, e megjithatë, me këto kritika publike ndaj të drejtës së Kosovës për t’i kritikuar Dhomat e Specializuara, po e vështirëson pikërisht këtë mundësi”, deklaroi Joseph.

Ai theksoi se Bashkimi Evropian ka të drejtë të shprehë shqetësime dhe vërejtje lidhur me ligjin, por, sipas tij, këto çështje duhet të trajtohen përmes komunikimit privat.

“Këto çështje duhet të trajtohen në mënyrë private. Nëse kanë shqetësime, dhe është plotësisht e ligjshme që BE-ja të ketë shqetësime dhe vërejtje lidhur me ligjin, atëherë duhet t’i shprehin ato privatisht. Duhet ta bëjnë këtë në mënyrë private, sepse Serbia po përfiton nga këto kritika publike dhe ka përfituar edhe nga aktgjykimi”, u shpreh ai.

Joseph kritikoi gjithashtu, siç tha, mungesën e reagimit të Bashkimit Evropian ndaj festimit dhe nderimit të kriminelit të luftës Ratko Mladić në Serbi.

“Ndërkohë, BE-ja nuk ka bërë asgjë lidhur me festimin dhe nderimin e Ratko Mladićit nga Serbia, i cili ishte krimineli më i rëndë i luftës në të gjithë Ballkanin. Pra, BE-ja ka një problem me Mladićin dhe duhet ta trajtojë këtë çështje përpara se të kritikojë publikisht Kosovën për këtë ligj”, potencoi Joseph.

I pyetur nëse marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian mund të rrezikohen nga kjo çështje, ai vlerësoi se situata nuk është aq e rëndë dhe se palët duhet të angazhohen në diskutime për të gjetur një zgjidhje.

“Nuk mendoj se situata është aq e rëndë. Mendoj se Kosova dhe Bashkimi Evropian duhet ta diskutojnë këtë çështje dhe besoj se, në fakt, mund të arrihet një rezultat pozitiv”, deklaroi ai.

Sipas Josephit, ekzistojnë mekanizma dhe formate përmes të cilave Kosova dhe Bashkimi Evropian mund t’i trajtojnë mospajtimet, por Brukseli duhet ta kuptojë se Dhomat e Specializuara nuk janë të përjashtuara nga kritikat.

“Mendoj se kjo çështje mund të çohet përpara, pasi ekzistojnë kanale dhe formate përmes të cilave mund të trajtohen këto pyetje. Megjithatë, ekziston një pikë thelbësore që BE-ja duhet ta kuptojë: Dhomat e Specializuara nuk janë mbi kritikat. Ato nuk janë mbi kritikat”, theksoi Joseph.

Ai shtoi se Kosova ka të drejtë t’i kritikojë Dhomat e Specializuara dhe se, sipas tij, edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka pranuar të drejtën e Kosovës për ta ndryshuar ligjin.

“Kosova ka të drejtë t’i kritikojë ato. Madje, edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar këtu se Kosova, si shtet sovran, ka të drejtë ta ndryshojë ligjin. Edhe Von der Leyen e ka thënë këtë”, u shpreh ai.

Joseph nënvizoi se është legjitime që institucionet e Dhomave të Specializuara të mbahen përgjegjëse dhe që puna e tyre të jetë objekt i pyetjeve dhe kritikave.

“Pikërisht ky është thelbi që duhet të kuptohet në Bruksel: është legjitime që Dhomat e Specializuara të mbahen përgjegjëse dhe është e drejtë që të ngrihen pyetje lidhur me punën e tyre”, tha profesori amerikan për Ekonomia Online.

Duke komentuar votimin për ligjin, Joseph tha se ai u mbështet nga një shumicë e theksuar, ndonëse Lidhja Demokratike e Kosovës nuk votoi pro tij.

“Votimi ishte me një shumicë shumë të theksuar në favor të ligjit. LDK-ja nuk votoi pro tij, por, megjithatë, ekziston një konsensus i gjerë kombëtar, i cili përfaqësohet edhe në grupin punues”, deklaroi ai.

Joseph e vlerësoi pozitivisht punën e grupit punues, duke thënë se ai mund të kontribuojë në një proces konstruktiv, ndërsa përgjegjësia për trajtimin e çështjes i takon Qeverisë së Kosovës.

“Mendoj se grupi punues është një zhvillim i mirë dhe mund të jetë konstruktiv. Tani i takon Qeverisë së Kosovës që të punojë në mënyrë profesionale”, theksoi ai.

Ai përsëriti se Qeveria e Kosovës duhet të hapë diskutimet me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Dhe, po e përsëris, mendoj se çelësi është që Qeveria e Kosovës ta hapë dialogun për këtë çështje me Bashkimin Evropian, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Besoj se edhe Shtetet e Bashkuara janë të përfshira në këtë çështje dhe mendoj se ato mund të jenë të hapura ndaj shqetësimeve dhe pyetjeve që ka ngritur Kosova. Besoj se edhe BE-ja duhet të tregojë të njëjtën gatishmëri”, tha Joseph.

Në fund të intervistës për Ekonomia Online, profesori amerikan foli edhe për zgjedhjen e presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, si dhe për ndikimin që kjo mund të ketë në marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Joseph u shpreh i kënaqur me zgjedhjen e saj, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap pozitiv për Kosovën. Ai bëri të ditur se kishte pasur rastin ta takonte presidenten një ditë më parë.

“Duhet të them se jam shumë i kënaqur. Zgjedhja e presidentes Shiroka Pula është një hap shumë pozitiv për Kosovën. Pata nderin ta takoja dje, në cilësinë e saj si Presidente e Republikës së Kosovës. Ishte një nder i madh për mua”, deklaroi Joseph.

Profesori amerikan theksoi se ka një përshtypje shumë të mirë për presidenten e re dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe liderëve politikë që ta mbështesin atë në ushtrimin e detyrës.

“Kam një përshtypje shumë të mirë për presidenten Shiroka Pula dhe mendoj se qytetarët dhe udhëheqësit politikë të Kosovës duhet ta mbështesin atë në rolin e saj si presidente. Jam i bindur se ajo do të jetë një udhëheqëse dinamike dhe e besueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës”, shtoi Joseph./EO/