Mund të konsiderohet padyshim si legjendë e futbollit vendor, shkak i paraqitjeve fantastike në fushë dhe kontributit të tij ndër vite. Robert Gjeraj, mbrojtësi i njohur kosovar ka vendosur që t’i japë fund karrierës së tij si futbollist profesionist.
Gjeraj është futbollist aktiv në futbollin vendor qe 22 vite, teksa ‘GazetaBlic Sport’ mëson se vendimi përfundimtar për ta lënë futbollin tashmë është marrë nga vet lojtari.
39 vjeçari po pensionohet pasi arriti atë që e dëshiroi edicionin e fundit, duke e lënë skuadrën e tij, Lirinë në elitën e futbollit kosovar, madje mund të veçohet për paraqitjen fantastike në ndeshjen e barazhit ndaj Ferizajt, ku luajti edhe i dëmtuar për disa minuta.
Kapiteni i Lirisë ka marrë sot vendimin për pensionim nga futbolli, teksa ka shumë për të kujtuar nga karriera e tij, pasi ka suksese dhe shumë ndodhi pozitive.
Karrierën Robert Gjeraj e nisi para fillimit të luftës, ku si 12 vjeçar startoi të luajë tek Shkolla e Futbollit, Shkëndija në Prizren.
Më pas Gjeraj karrierën profesionale e filloi tek skuadra e Lirisë, menjëherë pas përfundimit të luftës, ku filloi hapat e parë si 16 vjeçar, pas kësaj aventure ai luajti edh tek ekipi “KF Getoari”, e për të vazhduar pastaj tek Trepça 89′.
Një klub që do ta mbajë gjithmonë në zemër, padyshim se është KF Besa, pasi aty kishte suksese të mrekullueshme, pasi fitoi tre tituj dhe dy herë Superkupën e Kosovës. Gjeraj është futbollist i cili e fitoi tri herë radhazi Superligën e Kosovës.
Pas aventurës tek Besa, ai kaloi tek Vëllaznimi, ku edhe aty fitoi një Kupë të Kosovës. Më pas, Gjeraj luajti për pak kohë edhe tek skuadra e njohur, KF Ballkani.
Në fund, karrierën e përfundoi aty ku e nisi, pra tek skuadra e Lirisë – ku siç e cekëm arriti inkuadrimin në Superligë me ekipin e tij të zemrës dhe të vendlindjes. Kujtojmë se Gjeraj ishte edhe futbollist i kombëtares së Kosovës, ku numëron rreth 10 paraqitje, pas shpalljes së Pavarësisë.
Padyshim, Gjeraj do t’i mungojë futbollit kosovar, për shkak të pasionit, grintës dhe aftësive të tij në fushën e blertë./GBS