Mbi 1 milion euro është vlera e parave, pronave të paluajtshme dhe të luajtshme që dyshohet se gjashtë persona kanë përfituar nga veprimtaria ilegale e fajdesë në Prizren dhe Suharekë.
Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore të Prizrenit kanë realizuar sot më 31.10.2024 një aksion kundër fajdesë, të quajtur “milioni”, në të cilin ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar në Prizren dhe Suharekë.
Sipas komunikatës, gjatë zbatimit të operacionit policor, është realizuar urdhër-kontroll i gjykatës dhe se në vendbanimet e personave të dyshuar janë sekuestruar 20 njësi banesore dhe lokale afariste; 5 automjete; 5 armë dhe municione të kalibrave të ndryshme, dokumentacione si kontrata, parakontrata, para të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogaritë bankare të personave të dyshuar.
Prokuroria thotë se të dyshuarit në këtë rast, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar shuma dukshëm jo-propocionale të pasurisë, në këmbim të dhënies së borxhit, duke shfyrëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.
“Të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga viktima shuma të mëdha të parave si dhe prona të paluajtshme dhe të luajtshme si formë e interesit nga veprimtaria e fajdesë, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro” – bëhet e ditur në komunikatë.
Të dyshuarit pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë./Kallxo.com/