Problemet më të shpeshta urologjike te fëmijët, si duhen kuptuar e trajtuar në kohë!

0
138

Kthimi i urinës mbrapsht në veshka, moszbritja e testikujve në pozicionin normal anatomik, ngushtimi në daljen e veshkës dhe gurët në veshka janë vetëm disa nga problemet shëndetësore me të cilat përballen fëmijët

Mjeku urolog Artan Koni thotë se problemet e aparatit urinar janë të shumta, sidomos në moshat e vogla. Një pjesë prej tyre, thekson ai, janë të lindura, një pjesë tjetër të fituara në vite. Çfarë është me rëndësi është trajtimi i tyre në kohë, kjo për vetë faktin se disa probleme, të cilat mund të zgjidhen lehtësisht që në fillim, rriten dhe bëhen shqetësuese me kalimin e viteve, duke e çuar fëmijën drejt dializës dhe transplantit të veshkave. Doktor Koni ka titullin FEAPU, që do të thotë, urolog pediatër i njohur nga Organizata Ndërkombëtare Europiane e Urologjisë.

Lidhur me përvojën e tij jashtë vendit dhe metodat që aplikohen jashtë në trajtimin e këtyre patologjive, doktori shton se ndryshimi i parë nis nga mungesa e mjekëve specialistë. Mungesa e mjekëve nga njëra anë dhe mungesa e informacioneve në anën tjetër bën që prindërit të adresohen te kirurgët pediatër për problemet urologjike që shfaq fëmija i tyre. “Ka shumë ndryshim midis asaj që ndodh jashtë shtetit dhe asaj që ndodh këtu në Shqipëri.

Urologjia pediatrike funksiononte në Shqipëri për shumë vjet, por këto 15 vitet e fundit ka pasur një largim të urologëve nga problemet pediatrike. Në pamundësi për t’u kuruar nga një urolog, fëmijët janë detyruar deri diku, ose janë adresuar te kirurgët pediatër. Sot që flasim, është krijuar një shprehi që këta fëmijë të adresohen tek kirurgët pediatër edhe nga vetë mjekët e tjerë, sidomos mjekët pediatër. Për inerci, kjo gjë vazhdon akoma të mbetet e tillë. Vetëm prindërit që janë të informuar dhe që marrin informacion në internet, drejtohen te një urolog pediatër, pjesa tjetër e gjerë drejtohet te kirurgu pediatër. Normalisht, mjekësia moderne nuk funksionon kështu”, pohon mjeku urolog, Artan Koni.

PATOLOGJITË MË TË SHPESHTA TE FËMIJËT

Një nga problemet më të shpeshta është refluksi urinar, kthimi i urinës mbrapsht në veshka. Është një patologji që ndodh si te meshkujt ashtu edhe te femrat, te femrat pak më shpesh. Në fillimet e jetës nuk jep një shqetësim specifik. Fëmijët grinden, kanë temperaturë të lartë, krijojnë infeksione urinare dhe u ndërpritet ritmi normal i rritjes trupore. Një infeksion urinar nuk krijon problem, kurohet me antibiotikë dhe kalon lehtë. Por infeksionet e shpeshta urinare dëmtojnë veshkat.

Gjëja më e rëndësishme të thuhet është që dëmtimi i veshkave është i pakthyeshëm, dëmtimi që ndodh mbetet ashtu gjatë gjithë jetës. Një problem tjetër është moszbritja e testikujve në pozicionin normal anatomik. Në shumicën e rasteve është një problem i lindur. Në raste më të rralla, testikuli ngjitet sipër me rritjen e fëmijës. Ky është një problem që zgjidhet vetëm me kirurgji, e cila rekomandohet të kryhet midis moshave 6-18 muajshe. Pas kësaj moshe, testikuli fillon dhe influencohet nga aspekti funksional, duke rezultuar pas shumë vitesh me probleme fertiliteti, ose paaftësi për shtatzëni.

Ngushtimi në daljen e veshkës është një patologji tjetër shumë e shpeshtë, patologji segmenti siç quhet ndryshe. Në shumicën e rasteve është një patologji e lindur, edhe kjo. Patologjia e segmentit ka një veçori interesante. Në 1/ 3 e rasteve kalon vetvetiu me rritjen e fëmijës, në 1/3 e rasteve mbetet njësoj dhe në 1/3 e rasteve përkeqësohet, duke e çuar veshkën drejt mosfunksionimit total. Hipospadia është një anomali e lindur dhe e shpeshtë te meshkujt.

Ky problem zgjidhet vetëm me kirurgji dhe rekomandohet të kryhet në periudhën 6-18 muajshe të jetës. Gurët në veshka janë probleme të shpeshta në zonën gjeografike në të cilën jetojmë. Shumica e rasteve kalohet pa u vënë re, sepse fëmijët nuk i shprehin mirë shqetësimet që kanë, duke çuar në shtimin e gurëve dhe mbushjen plot të veshkave.

Mosha e kopshtit ose vitet e para të shkollës kanë një problem tjetër specifik. Fëmijët fillojnë dhe e mbajnë urinën më shumë seç duhet. Kjo për shumë arsye: nuk ndihen komodë nga ana e pastërtisë nëpër tualete jashtë shtëpisë së tyre, nuk duan të ndërpresin lojën që janë duke luajtur, janë të ndrojtur dhe nuk kërkojnë leje gjatë mësimit për të shkuar në tualet, në pushimet midis orëve të mësimit hutohen me fëmijët e tjerë dhe harrojnë të shkojnë në tualet.

Si përfundim, pas një farë kohë (rreth 6 muaj), prishet funksionimi normal i vezikës urinare. Me çrregullimin e vezikës urinare, fëmijët fillojnë ta ndiejnë më pak nevojën për të urinuar, duke bërë që në vezikë të depozitohet më shumë urinë seç duhet. Kjo sjell infeksione urinare të shpeshta, sforcim të punës së veshkave etj., etj…duke çuar deri në dëmtimin e veshkave. Këto janë problemet më të shpeshta urologjike në moshën pediatrike, ka një sërë problemesh të tjera që janë po aq të rëndësishme për një rritje normale.

SHENJAT

Ndjekja e këtyre fëmijëve fillon që në shtatzëni. Gratë shtatzëna që kanë fëmijën me një problem të caktuar urinar (fryrje e veshkave p.sh), duhet të ndiqet edhe nga një urolog pediatër. Kjo, për vetë faktin që të shikohet në dinamikë avancimi i problemit dhe të vendoset se kur do të jetë koha ideale e një ndërhyrjeje të mundshme pas lindjes. Këta fëmijë nuk japin asnjë shenje specifike, thjesht dallohet fryrja e veshkave në ekot rutinë.

Një shenjë te kjo grupmoshe është temperatura, e shoqëruar ose jo me djegie urine. Infeksionet urinare nuk duhen kaluar lehtë, por duhet parë a ka një problem që i bën fëmijët të prirur për infeksione urinare apo jo. Një shqetësim i shpeshtë është dhimbja e barkut, në shumë raste është i vetmi shqetësim që fëmijët tregojnë. Në shumë raste shqetësimi është i vetë prindërve, të cilët thonë që fëmijës i mban erë të rëndë urina, ose gjatë dushit testikujt nuk i shohin në pozicionin anatomik. Një shqetësim tjetër i prindërve është që djali i tyre p.sh. nuk e bën urinën drejt, por i del më poshtë se normalja. Në të gjitha këto raste, prindërit duhet të konsultohen me një urolog pediatër.

TRAJTIMI

Duke qenë se ka shumë patologji, nuk mund t’i përmend të gjitha. Po përmend thjesht ato teknika që kanë bërë diferencë drastike këto vitet e fundit. -Laparoskopia. E quajtur ndryshe, kirurgjia e mbyllur ka ndryshuar shumë, jo vetëm në aspektin e shenjës minimale që mbetet nga operacioni, por edhe në aspektin e vetë fëmijës. Kirurgjia laparoskopike përballohet shumë lehtë nga fëmijët.

Me teknologjinë që kemi tashmë në dispozicion, nuk ka pse fëmijët të kenë një shenjë të madhe operacioni në bark. -Endoskopia. Është teknika e mbyllur që përdoret për reflukset urinare dhe për gurët në kanalet e urinës. Vlen të theksohet fakti që Nefrolitotomia Perkutane, operacioni i mbyllur i gurëve në veshka që bëhet te të rriturit, tashmë realizohet edhe te fëmijët.

Me një fjalë, fëmijët nuk kanë një shenjë të madhe operacioni në bark, por vetëm një shenjë rreth 5 mm në kurriz. -Teknikat e reja në operacionet e hapura. Përveç faktit që tashmë operacionet e hapura mund të kryhen me një prerje të vogël, këto teknika mundësojnë që organi përkatës të mos dëmtohet, duke siguruar një funksion të mirë dhe një rritje normale të fëmijës.

Leave a Reply