Prizreni ndryshon sërish emrin dhe shpall synimet e mëdha

0
502

Përforcimi i parë për edicionin e ri te Ponte Prizreni është një basketbollist vendor. Skuadra prizrenase do te vazhdojë të forcohet me vendorë, përpara se të vendosë për lojtarët e huaj. Kështu ka insistuar trajneri Arbnor Rifati, që ka folur të martën për KOHËN.

Prizreni e nisi me Meriton Ismailin, që ishte pjesë e Sigal Prishtinës prej fillimit të karrierës. Më pas vazhdoi kontratën me qendrën Urim Zenelaj.

Reprezentuesi i Kosovës, Ismaili, firmosi për një vit, derisa Zenelaj vazhdoi bashkëpunimin edhe për një vit tjetër.

Në edicionin e ri klubi ka vendosur ta kthejë emrin Ponte Prizreni. Edicionin e kaluar klubi ku Rifati është kryesori u quajt Prizreni 16.

Trajneri Rifati ka thënë se fokusin për momentin e ka te vendorët, pasi dëshiron të ketë një bazë para se të fillojë me transferimin e të huajve. Ai ka thënë se është i lumtur që tashmë ka siguruar lojtarë si Ismaili e Zenelaj, të cilët janë të dëshmuar në kampionatin vendor.

“Jam i lumtur që kemi arritur marrëveshje me Meriton Ismailin dhe kemi vazhduar bashkëpunimin me qendrën Urim Zenelaj. Sigurisht që këto nuk do të janë përforcimet e vetme të cilat do t’i bëjmë gjatë këtij afati kalimtar. Fillimisht prioritet do ta kemi t’i vazhdojmë kontratat me disa prej lojtarëve kryesorë vendorë të edicionit të shkuar dhe besoj se baza e skuadrës do të jetë edhe për edicionin e ri”, është shprehur Rifati.

Sa u përket të huajve, Rifati ka thënë se është në hulumtim të tregut. Ka paralajmëruar se synimi i tij është të sjellë të huaj cilësorë, të cilët e bëjnë dallimin.

Ponte Prizreni në edicionet e fundit ka pasur amerikanë të mirë në radhët e veta dhe ka për qëllim ta vazhdojë këtë trend.

“Jemi duke e hulumtuar tregun dhe besoj që në javët në vazhdim do të tentojmë të sjellim edhe ndonjë lojtar vendor që të bëjmë një ekip sa më konkurrues për sezonin e ri”, theksoi Rifati, duke treguar se ekipi i tij prej fillimit të sezonit do t’i ketë katër të huaj.

“Gjithashtu jemi duke përcjellë edhe disa lojtarë të huaj, të cilët do t’i sjellim në ekip. Po synojmë që lojtarët e huaj të jenë në një nivel më të lartë dhe të bëjnë diferencën. Sigurisht që ne do të përforcohemi edhe me katër basketbollistë të huaj, por ende jemi duke i shqyrtuar mundësitë”.

Rifati thotë se Superliga e Kosovës në edicionin 2022/23 do të jetë më e fortë dhe më konkurruese sesa në edicionin e kaluar. Tekniku prizrenas bazohet në përforcimet që tashmë i ka bërë skuadra e Trepçës.

Trepça është ekipi i parë që ka nisur me kompletimin e ekipit për sezonin e ri. Edhe kampioni në fuqi, Golden Eagle Ylli, ka transferuar disa vendorë. Përderisa Ylli do të paraqitet në raundin kualifikues të Ligës së Kampionëve, Trepça dhe Sigal Prishtina pritet te luajnë në FIBA Europe Cup.

“Këtë vit besoj që Liga e Kosovës në basketboll do të jetë më interesante dhe më e fortë që nga paslufta”, prognozon Rifati. “Duke parë përforcimet e bëra nga skuadra e Trepçës dhe punën që po e bëjnë edhe ekipet e tjera, jam i bindur që Superliga këtë vit do të jetë më fortë dhe më e paparashikueshme se asnjëherë më parë”.

Me gjithë konkurrencën e fortë, Rifati ka insistuar se edhe ekipi i tij në edicionin e ri do të luftojë për trofe. Ponte Prizreni sezonin e shkuar e nisi me trofe, atë të Superkupës së Kosovës.

“Sigurisht që edhe ne do të jemi aty dhe do të synojmë të fitojmë trofe. Besoj se do të krijojmë një ekip konkurrues dhe të luftojmë për trofe edhe në kampionatin e ri”, tha Rifati./KOHA

Leave a Reply