Sot, në përvjetorin e lindjes së Heroit të Kosovës, Skënder Rexhepi, familjarë, bashkëluftëtarë, miq, veprimtarë dhe qytetarë janë mbledhur në Mrasor për ta nderuar jetën, veprën dhe sakrificën e tij për lirinë e vendit.
Aktivitetet përkujtimore nisën me homazhe dhe vendosje lulesh pranë bustit të Heroit, ndërsa më pas të pranishmit vizituan edhe Shtëpinë-Muze, ku u rikujtuan momente dhe ngjarje nga jeta dhe veprimtaria e tij.
Gjatë vizitës, bashkëluftëtarët dhe miqtë e Heroit ndanë kujtime nga periudha e luftës dhe vlerësuan lart kontributin e jashtëzakonshëm që Skënder Rexhepi dha në formimin dhe forcimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të pranishmit theksuan se figura e tij mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së Kosovës dhe se kujtimi për veprën dhe sakrificën e tij vazhdon të jetojë ndër breza.
Përkujtimi i ditëlindjes së Heroit Skënder Rexhepi në Mrasor u zhvillua në atmosferë respekti dhe mirënjohjeje, duke rikthyer në kujtesë idealet dhe angazhimin e tij për lirinë e atdheut.
Në aktivitetin përkujtimor mori pjesë edhe gjenerali nga Shqipëria, Sokol Poga, një nga figurat që kishte njohje dhe kontakte të hershme me Komandantin Legjendar Adem Jashari.
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë vizitës, kontaktet e para mes gjeneralit Poga dhe Adem Jasharit datojnë qysh nga viti 1991. Gjatë qëndrimit në Mrasor, ai nderoi kujtimin e Heroit Skënder Rexhepi dhe u regjistrua në librin e përshtypjeve të Shtëpisë-Muze, duke lënë mesazhin e tij në shenjë respekti për kontributin dhe sakrificën e dëshmorëve të lirisë.

Lavdi e përjetshme Heroit Skënder Rexhepi!















































