Përballja e Prokurorisë me mbrojtësit e mjekëve të arrestuar: Pretendime skandaloze

0
780

Arrestimi i tre mjekëve të Spitalit të Prizrenit, të dyshuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor po konsiderohet skandal. Dy gjinekologët Fisnik Sinani e Gazmend Sylejmani dhe anesteziologu Sami Reshitaj u ndaluan, nën dyshimin se janë të përfshirë në rastin e vdekjes së një foshnje. Të njëjtit janë liruar sot dhe ndaj tyre fillimisht është kërkuar paraburgimi, e më pas Prokuroria është tërhequr, duke bërë kërkesë për masa alternative, raporton Gazeta Sinjali.

Ndalimi i tre mjekëve, sipas mbrojtësve të tyre është bërë pa pasur prova dhe dyshim të bazuar se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.

Ata janë përballur sot me Prokurorinë, në seancës dëgjimore që është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, ku u mor vendim për arrest shtëpiak ndaj Sinanit e Sylejmanit, ndërsa ndaj Reshitajt masa e paraqitjes së stacion policor.

Sinjali mëson se avokatët e tyre kanë qenë të ashpër me Prokurorinë, të cilën e kanë akuzuar për pretendime skandaloze.

Ndërsa Prokurori i Shtetit ka deklaruar se ka qenë e nevojshme që tre mjekët të ndalohen, me qëllim të sigurimit të provave kryesore të rastit. Sipas tij, dyshimi është rënduar pasi dyshohet edhe për manipulim me prova, pasi siç ka thënë ai placenta e fetusit pas lindjes nuk është regjistruar dhe është përzier me placenta të tjera.

Avokati i Reshitajt, Blerim Mazreku, ka deklaruar se me kërkesën për caktimin e masës për t’u lajmëruar në stacion policor ndaj klientit të tij, Prokuroria ka tentuar që të arsyetojë urdhrin për ndalim dhe njollosjen e emrit të tij.  

Sipas tij, Prokuroria ka pretenduar se ka dyshim të bazuar ndaj Reshitajt, pa qenë e informuar për punën e tij, kur njoftohet anesteziologu, kur merr pjesë në një proces të lindjes dhe a merret pëlqim nga pacienti, apo procedurat e tjera.

Ndërsa sa i përket veprës tjetër për manipulim me prova, Mazreku ka deklaruar se dyshimet e Prokurorisë janë të pabazuar dhe skandaloze. Ai ka thënë se anesteziologu nuk ka të bëjë asgjë me plancentën siç pretendon Prokuroria.

Prandaj, ai ka thënë se nuk është plotësuar asnjë kusht që të caktohet kjo masë e sigurisë, për të cilën mori vendim më pas Gjykata.

Ndërsa vet Reshitaj ka deklaruar se për herë të parë është thirrur në këtë rast si anesteziolog dhe nuk ka lidhje me asnjërën prej veprave që i ngarkohen.

Në anën tjetër edhe mbrojtësi i Fisnik Sinanit e ka kundërshtuar kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, pasi sipas tij nuk janë plotësuar kushtet dhe se mungon dyshimi i bazuar. Ai ka akuzuar Prokurorinë se ka ngritur dyshimet pa pasur asnjë mendim profesional.

Edhe avokati i Sylejmanit, ka deklaruar po ashtu se dyshimi i bazuar nuk qëndron dhe nuk ka pasur vend për caktimin e masës së sigurisë, sepse sipas tij kërkesa për nisjen e hetimeve është mbështetur në supozime./Gazeta Sinjali

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here