Osmani rreth deklaratave të Macronit për vizat: Ishte dallim në përkthim, procesi s’mund të pezullohet nga një shtet

0
168

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pyetur edhe për deklaratën që dha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në Tiranë të martën, ku kërcënoi me pezullim të liberalizimit të vizave për Kosovën për shkak se “nuk janë mbajtur fjalët”.

“Është sqaruar tashmë. Drejtpërdrejtë na kanë njoftuar institucionet franceze, por edhe nga deklaratat e shumta, se ka qenë një lloj dallimi në përkthim. Ky proces nuk është pezulluar dhe ligjërisht s’mund të pezullohet nga një shtet. Jam e bindur se çfarëdo lloj qartësimi që kërkon presidentin Macron e institucionet franceze mund t’u japim ndërkohë dhe të heqim ndonjë lloj hezitimi që ata mund ta kenë. Por, procesi vazhdon e ky vendim hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2024”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Macron më tepër e kishte për çështjen e besimit.

“Me Francën si shtet aleat, do të ulemi e diskutojmë këto çështje. E kam takuar në Granadë së fundi presidentin Macron. Kërkesa e tij ishte e qartë, me të cilën pajtohem e janë pajtuar gjitha institucionet e Kosovës, që sa më parë të mbahen zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës. E kam njoftuar se Kosova ka krijuar bazën ligjore nëpërmjet udhëzimit administrativ, është me rëndësi që qytetarët të marrin pjesë. Pa pjesëmarrjen e qytetarëve do të përsëritet 23 prill, askujt s’i shkon përshtati kjo”, ka thënë Osmani në KTV.

Presidentja Osmani ka dhënë një mesazh edhe për qytetarët që duan të largohen nga Kosova.

Ajo u ka bërë thirrje që të kenë besim.

“I lus të kenë besim në Republikën e Kosovës, me rëndësi është kur treni kthehet në binar. E treni është në binar, shteti është në binar”, ka thënë Osmani. “E kuptoj vështirësinë me të cilën përballen shumë familje, dua t’ju siguroj se po bëjmë çmos brenda kompetencave tona që të kontribuojmë në përmirësimin e jetëve të tyre. Por, po përballemi edhe me sfida të jashtëzakonshme të sigurisë që po shkaktohen nga Serbia. Por, është detyrë e shtetit, e institucioneve që qytetarët të jenë të sigurt e të jenë një jetë më prosperuese, të realizojnë ëndrrat brenda Republikës së Kosovës”.

Osmani ka thënë se liberalizimi i vizave lejon udhëtime për arsye turistike, porse nuk lejon largime të përhershme nga Kosova, pasi do të ishte ilegale.

“Lus qytetarët e Kosovës t’i respektojnë rregullat e këtij sistemi, është shumë me rëndësi. Është sistem që vazhdimisht vlerësohet”, tha Osmani.

Leave a Reply