Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës së kryesuesit të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, duke theksuar se garantimi i funksionimit kushtetues të institucioneve është përgjegjësi thelbësore e saj si Presidente.
Në letrën drejtuar Kuvendit, Osmani ka potencuar se Kushtetuta e Republikës dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese kërkojnë interpretim që e mundëson, e jo që e pengon, themelimin dhe funksionimin kushtetues të institucioneve.
Ajo citoi Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. K072/20, ku thuhet se strukturat kushtetuese duhet të interpretohen në mënyrë që të “jetësojnë dhe jo të bllokojnë” funksionimin e pushteteve të dala nga vota e qytetarëve.
Gjykata, sipas saj, ka theksuar qartë se asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në mënyrë që të bllokojë themelimin dhe funksionimin efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.
Në të njëjtën linjë, Presidentja përmendi edhe Aktgjykimin tjetër të Gjykatës në rastin Nr. K0119/14, ku është theksuar obligimi i të gjithë deputetëve që të gjejnë mënyra për ta funksionalizuar Kuvendin, si dhe përgjegjësia e kryesuesit të seancës konstituive që të përmbushë detyrat në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Duke iu referuar këtyre parimeve, Osmani theksoi se praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese tashmë ka karakter detyrues, dhe se është përgjegjësi e të gjithëve që të kontribuojnë në funksionalizimin e institucioneve që burojnë nga vullneti qytetar.

