Shpresa e Vuçiqit për “një kompromis” të mundshëm në negociatat që është duke e rindërtuar e ridizajnuar përmes agjitacionit dhe lobimit nga ana ekipit të tij, gjatë gjithë periudhës së pasluftës, s’ bashku me naivitetin tonë politik të amputuar qëllimshëm për ta krijuar e besuar blanko narracionin për “njohjen reciproke”, pa një angazhim të theksuar (sepse; këtē punë do e “kryen krejt Amerika”!?) kreativ e vetanak (sepse; na mjafton fizikusi ynë dhe prap; suflerizmi amerikan!) tonin, ishin dhe mbetën jo vetëm dy perceptime të dëshirueshme por, edhe dy ligjerime jodobiprurëse e jo produktive në komunikimet publike politike , midis Beogradit dhe Prishtinës. Klod Levi Straus, një antropolog i mirënjohur në qarqet shkencore e ka një thënie antologjike (mendoj unë) kur analizon raportet sociokulturore midis shoqërive tē ndryshme, qē përafërsisht parafrazohet kështu; “pothuajse, çdo raport ndëretnik posedon një nivel imagjinar dhe në tjetër të realizuar…”. Edhe Vuçiqi, edhe Thaçi, edhe Mustafa, e tash edhe Kurti, po duket sheshazi që e “ushqyen” me vetëdije një “raport të tillë strausian”….Pyetja milionshë, që tani shtrohet, është; Ishte ky një naivitet i paparë diplomatik, dhe një nonsens i padëgjuar i adoleshences sonë politike, apo ishte një nevojë e kohës ku në mungesë të forcës vetanake, ishim të detyruar (dhe padyshim; të obliguar) t’i zbatonim si urdhërat ashtu edhe interesat e tjerëve më të mëdhenjë se ne.
Në historitë dhe narracionet e përvojave politike e kulturore botërore, kemi shumë raste të popujve e kombeve shumë më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm se sa që jemi ne (të cilēt përmes puçjes së interesave të veta me ato amerikane) që të kenë arritur t’i realizojnë me happy end (p.sh. Gjermania e pasluftës, Izraeli, Japonia, Koreja e Jugut, Tajvani, etj.) si prosperitetin dhe emancipimin tyre kombëtar, ashtu edhe zhvillimin dhe ekspanzionin e tyre shtetëror. Pra me njē Happy end, që në rastet e apostrofuara nuk u ndërtua e as kultivua me naivitete (improvizuese), as konformizma (iracionale), e as servilizma (strausian), por, me sakrifica sublime sociologjike e me përkushtime të sinqerta nga të dyja palët. Ngase, tipi partneritetit (që përveç interesit bazohet edhe në sinqeritet) për të cilin e kam fjalën nuk mund të ndërtohet e aq më pak të “mirēmbahet” pa interesa tē përbashkëta; gjeoekonomike, gjeopolitike e ndërshtetërore me partnerët (miq) strategjik.
Në trojet shqiptare, e sidomos në Kosovë partneriteti i sinqert dhe i sigurt gjeopolitik me Ameriken që qe inauguruar, kultivuar e trashëguar para lufte nga karizma dhe reputacioni i Ibrahim Rugovës (që më pastaj u (keq)përdor shumë nga ca politikan!), pas luftës gati u shndrrua në një ikonografi folklorike e në një rutinë formale politike që u shërbente më shumë kauzave partiake e ideologjike, se sa atyre shtetërore e kombëtare. Ky tip “partneriteti”, (që formalisht “shitej” për ca vota politike) rrezikonte të instalohej në skenën politike kosovare ekskluzivisht si argument ideologjik për të stigmatizuar e stereotipizuar kundërshtarët politik me nofka e epitete (si;”antiamerikan” , “koreanoverior”, “komunist”, etj.) komprometuese, e jo si një alibi që dëshmonte lojalitet e konformizëm racional politik ndaj mikut dhe partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikes (SHBA-es). Tani, Shba-ja duhet të qëndroj nē aulën e”kompromisit” që po e lyp Vuçiqi, edhe për ca arsye tjera;a. Arsyeja e parë, ajo si kumbare fillestare dhe kryesore e krejt projektit të pavaresisë, ishte dhe mbeti bartëse dhe avokate e gjithē procesit të shtetëndërtimit; b. Arsyeja e dyte ka të bëjë me interesat gjeostrategjike, që ajo ende edhe për një kohë i ka në këtë pjesë të botes, e që fatmiresisht ato jane në përputhje të plotë me synimet dhe ambiciet tona afatgjata kombëtare e shtetndertuese. c. Arsyeja e tretë, ka të bëjë me ridëshmimin e interesimit për njē rikonfigurim afatëgjatë të Ballkanit Perëndimor, si nga Senati ashtu edhe nga Pentagoni.
Shkruan: Fadil MALOKU – Profesor i Sociologjisë në Fakultetin Filozofik në Universitetin “Hasan Prishtina”
* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online