Mediat rome mbeten zëri i qëndresës sonë kolektive

0
70

Mediat rome janë themeluar me përkushtim, sakrificë dhe shumë mund. Respektimi, fuqizimi dhe mirëqenia e tyre nuk janë vetëm nevojë, por obligim i yni kolektiv si shoqëri që synon barazi dhe drejtësi për të gjithë.

Me shqetësim kemi ndjekur disa deklarata publike që përmbajnë gjuhë denigruese ndaj mediave rome dhe gazetarëve të përkushtuar që çdo ditë kontribuojnë me profesionalizëm në informimin dhe fuqizimin e komunitetit rom në Kosovë. Këto media nuk janë të kufizuara vetëm në RTK-në në Prishtinë, por përfaqësohen gjithashtu nga mediume aktive në Prizren, Gjakovë, Graçanicë dhe Mitrovicë. Për komunitetin rom, këto media nuk janë thjesht burim informacioni – ato janë mjet jetik për ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë kulturore.
Në një kontekst shoqëror ku zërat e komuniteteve jo-shumicë shpesh anashkalohen, mediat rome shërbejnë si urë lidhëse mes së kaluarës dhe së ardhmes, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe ndërgjegjësimin kolektiv.

Para dy vitesh, redaksia rome në RTK u përball me sulme të padrejta. Sot, radioja e vetme rome në Ballkan, “Romano Avazo”, po përballet me akuza të pamerituara. Në vend të mbështetjes ndaj këtyre zërave të rëndësishëm, po shohim përpjekje për t’i diskredituar dhe heshtur. Kjo qasje është jo vetëm e padrejtë, por përbën një rrezik për demokracinë, lirinë e shprehjes dhe pluralizmin mediatik.
Është legjitime që partitë politike të kenë dallime në qëndrime dhe vizione, por sulmet ndaj mediave të komunitetit rom për arsye të motiveve personale nuk mund të tolerohen. Ato nuk kanë të bëjnë me profesionalizëm – përkundrazi, përbëjnë shkelje të parimeve të etikës dhe lirisë së medias. Profesionalizmi dëshmohet me punë të ndershme dhe përkushtim, jo me akte diskredituese.

“Radio “Romano Avazo” ka qenë një platformë e hapur për përfaqësues të të gjitha institucioneve – përfshirë Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Kryetarin e Komunës së Prizrenit, deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe shumë personalitete publike – me një qëllim të vetëm: të avokojë për përmirësimin e politikave për komunitetin rom. A nuk është kjo dëshmi e fuqishme e profesionalizmit dhe punës së palodhur që qëndron pas kësaj medie?

Si ish-anëtar i Komisionit për Media në Kuvendin e Kosovës, prioriteti im ka qenë gjithmonë konsolidimi dhe zhvillimi i mediave rome, dhe kjo do të mbetet synimi im politik e institucional. Sepse aty ku ka zë të lirë, ka rezistencë; aty ku ka informim të drejtë, ka emancipim; dhe aty ku ekziston media rome, ekziston mundësia për të ndërtuar një shoqëri që nuk lë askënd pas.
Përmes kësaj deklarate, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë gazetarët rom që japin çdo ditë kontributin e tyre në këtë profesion fisnik. I inkurajoj ata të vazhdojnë të ushtrojnë detyrën me integritet dhe guxim, dhe njëkohësisht i ftoj të mos hezitojnë të kritikojnë edhe veprimet apo qëndrimet e mia si deputet dhe si përfaqësues politik, kurdo që e shohin të arsyeshme.
Faleminderit nga zemra për punën dhe përkushtimin tuaj – pjesëtarëve të RTK-së, radios “Romano Avazo”, “Jivdipe Tuemnca”, radios në Graçanicë dhe të gjithë atyre që përfaqësojnë denjësisht komunitetin tonë në fushën e informimit.

Çdo mbështetje për gazetarët rom është mbështetje për vetë identitetin tonë, për të drejtën për të qenë të informuar dhe për ruajtjen e vlerave tona kulturore.

Shkruan: Albert Kinolli – Deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës

* Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e 04 Online

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here