Manchester United është pranë kompletimit të një tjetër transferimi të rëndësishëm në afatin kalimtar veror. Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, klubi anglez ka arritur marrëveshje për transferimin e mesfushorit Ederson nga Atalanta, në një operacion që kap vlerën e 45 milionë eurove.
Romano raporton se marrëveshja është arritur mes të gjitha palëve dhe transferimi konsiderohet i mbyllur, ndërsa kanë mbetur vetëm procedurat formale për t’u përfunduar.
Mesfushori 26-vjeçar pritet t’i nënshtrohet kontrolleve mjekësore në ditët e ardhshme, përpara se të finalizojë kalimin e tij në “Old Trafford”.
Sipas të njëjtit burim, Ederson do të firmosë një kontratë katërvjeçare me Manchester United, me opsion për vazhdimin e saj edhe për një vit tjetër.
Transferimi i brazilianit shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin e mesfushës së “Djajve të Kuq”, të cilët synojnë të rrisin cilësinë dhe konkurrencën në skuadër para nisjes së sezonit të ri.
Ederson ka spikatur me paraqitjet e tij te Atalanta në vitet e fundit, duke tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha evropiane. Zyrtarizimi i transferimit pritet të bëhet menjëherë pas përfundimit të testeve mjekësore dhe dokumentacionit përkatës.















































