Shqipëria luan për Ligën B, një barazim mjafton ndaj Bjellorusisë

0
23

Shqipëria luan sonte ndeshjen e fundit në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve, ku përballë do ta ketë Bjellorusinë.

Kuqezinjtë do të kërkojnë ta mbyllin me fitore këtë edicion dhe ta sigurojnë pozitën e parë në Grupin C1, që do t’u mundësonte ngjitjen në Ligën B.

Përballja do të zhvillohet në stadiumin “Illovszky Rudolf” në Budapest të Hungarisë, me fillim nga ora 18:00.

Shqipëria vjen në këtë takim pas fitores 2:0 ndaj Finlandës, ku golat u realizuan nga Ernest Muçi dhe Rey Manaj. Me këtë triumf, skuadra e drejtuar nga Rolando Maran ka shkuar në kuotën e 12 pikëve, duke kryesuar grupin me dy pikë më shumë se Bjellorusia.

Kështu, kuqezinjve u mjafton edhe një barazim për ta siguruar vendin e parë dhe promovimin direkt në Ligën B. Në anën tjetër, Bjellorusia ka vetëm një mundësi për të marrë kreun e grupit: fitoren ndaj Shqipërisë.

Për Shqipërinë kjo është një përballje me rëndësi të veçantë, pasi pas një edicioni me rezultate pozitive, synimi është rikthimi në Ligën B të Ligës së Kombeve.